Çudia e Josip Kuzhe: Duka m’u lut që të qëndroja
TIRANE-Trajnerit kroat Josip Kuzhe, nuk iu dha mundësia të vazhdonte aventurën edhe për një tjetër edicion në krye të kombëtares shqiptare. Për shkak të rezultateve të dobta dhe me insistimin e FSHF-së, atij iu ndërpre kontrata dy muaj pa skaduar ajo. Por, në një intervistë dhënë sot për gazetën kroate “Jutarnji List”, Kuzhe ka deklaruar se ishte vendimi i tij për t’u larguar dhe se kreu i Federatës Armand Duka e kishte lutur të qëndronte. “Kisha arritur në përfundimin se nuk kishte më arsye të qëndroja me të njëjtën përfaqësuese për pesë vjet, madje tre sa qëndrova ishin shumë. Për këtë, para gjashtë muajve e kam njoftuar presidentin e FSHF-së, Armand Duka, që të mos mbështetet më te mua pas skadimit të kontratës, - ka thënë Kuzhe në intervistën për “Jutarnji List”. - Shqipërinë e kam marrë për një sezon, më pas e vazhdova, meqë ata janë seriozë, por këtu ishte fundi, edhe pse presidenti i FSHF-së në javët e fundit më ka lutur “të lutem mendo, të flasim...”, por nuk kishte arsye më”. Kjo deklaratë e tij për mediat kroate bie ndesh me atë të presidentit Armand Duka, të dhënë pas divorcit me të, se “kombëtares i duhen energji të reja”, por edhe të vet Kuzhes të dhënë me këtë rast, se “nuk jam edhe aq i befasuar me divorcin, madje të them të drejtën e prisja”. Më tej, në intervistë Kuzhe ka thënë se në Shqipëri të gjithë e kanë adhuruar dhe se futbollistët nga i pari tek i fundit kanë kdeklaruar se “Kuzhe duhet të qëndrojë”. Nën drejtimin e Kuzhes, Shqipëria ka zhvilluar 24 ndeshje, tetë i ka fituar, nëntë i ka humbur dhe shtatë herë ka barazuar. Po ashtu, nën drejtimin e tij, Shqipëria ka mbyllur ciklin eliminator për “Euro 2012” në vendin e parafundit në grup - larg synimit të vendosur në fillim të këtij cikli nga vetë Kuzhe dhe Federata.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)