Shpifi ndaj deputetes Albana Vokshi, Sajmir Tahiri dënohet nga Gjykata me 3.3 milionë lekë

Tahiri i shtohet listës së të dënuarve për shpifje si Eduart Shalësi dhe Ermonela Felaj ndërsa Erjon Braçe, Vasilika Hysi, Eltar Deda dhe Taulant Balla, janë në gjykim nga Gjykata e Tiranës
Pas Eduart Shalësit, i cili pak muaj më parë u dënua nga Gjykata e Tiranës me 10 milionë lekë të vjetra, për shpifje ndaj deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, sot Gjykata ka marrë një tjetër vendim, duke dënuar edhe deputetin tjetër socialist, Sajmir Tahiri, me 3.3 milionë lekë. Në vendimin e zbardhur nga Gjykata, thuhet se gjoba ndaj z.Tahiri është mënyrë dëmshpërblimin për dëmin jashtë – kontraktor që deputeti socialist i ka shkaktuar koleges së tij demokrate. Sipas vendimit të gjykatës, akuzat e hedhura nga deputeti Tahiri janë të pabazuara në fakte. Më 16 shtator 2010, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi paditi në gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës 10 deputetë të Partisë Socialiste. Ajo i akuzoi deputetët socialiste për shpifje duke kërkuar shpërblimin e dëmit jo-pasuror. Padia e Vokshit erdhi pas deklaratave të deputetëve të majtë, që sipas deputetes demokrate kanë cenuar nderin dhe dinjitetin e familjes së saj. Përfaqësuesit e PS kanë akuzuar në mënyrë të vazhdueshme deputeten Vokshi për të ardhurat e padeklaruara, të përfituara nga bashkëjetuesi i saj, Arjan Tartari.
Më 15 korrik të këtij viti, Gjykata e Tiranës mori në shqyrtim padinë e Vokshit për Eduart Shalësin. Ky i fundit akuzohej nga znj.Vokshi për shpifje dhe cenim të imazhit. Pas marrjes në shqyrtim të ankimimit, gjykata e gjobiti Shalësin me 10 milionë lekë të vjetra, me akuzën e shpifjes ndaj deputetes demokrate. Edhe në këtë rast arsyetimi i vendimit të gjykatës, ishte se akuzat e deputetit Shalsi janë të pabazuara. Dënimet për shpifje ndaj deputetëve socialistë, s’ndalen me kaq. Më 21 qershor të këtij viti, deputetja Ermonela Felaj, u dënua nga gjykata e Tiranës me 10 milionë lekë të vjetra, për shpifje ndaj kompanisë “Ferar”. Gjykata e Tiranës vendosi të dënojë deputeten e PS-së pas akuzave të bëra ndaj kompanisë “Ferar” për marrjen e një koncensioni për ndërtim hidrocentrali në Bencë. Deputetja Felaj në muajin janar lëshoi akuza ndaj ish-ministrit Genc Ruli dhe kësaj kompanie, por që gjykata i cilësoi si shpifje, duke i dhënë edhe një leksion politikanëve shqiptarë për deklaratat e tyre, shpeshherë të pakontrolluara.
Ndërkohë, në gjykim për shpifje janë dhe deputetë të tjerë si Erjon Braçe, Vasilika Hysi, Taulant Balla dhe Eltar Deda.