E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simonçeli, zbulohen shkaqet e aksidentit tragjik në Sepang

ROME-Italia dhe e gjithë bota e sportit do t’i japë të mërkurën dhe të enjten lamtumirën Marko Simonçelit, pilotit të Honda Gresini që humbi jetën në garën e Sepang ditën e dielë. Ambasada Italiane në Malajzi ka shmangur burokracitë, duke ndërhyrë në bërjen e shpejtë të autopsisë, me qëllim që trupi të kthehet shpejt në vendlindje. Të mërkurën, në Teatrin Komunal të Korianos do të zhvillohen homazhet, ndërsa të enjten funerali. Ndërkohë, familjarët dhe drejtuesit e skuderisë Team Gresini, që po merret me çuarjen në shtëpi të trupit të pajetë të Simonçelit, i druhen faktit se ai mund të sekuestrohet nga Prokuroria për hetime të mëtejshme. Kjo do të vononte homazhet dhe funeralin e ish-kampionit të 250 kubikëve.

Ndërkohë, në qytetin e lindjes së Simonçelit, në Koriano, ka rënë prej dy ditësh zia. Në hyrje të tij është vendosur një pankartë: “Koriano qan kampionin e saj. Ciao Sic, do të na mungosh”. Sakaq, specialistët kanë ndërtuar edhe dinamikën e incidentit, duke shpjeguar me detaje se çfarë ndodhi me motorrin e pilotit italian. Sistemi elektronik ka lexuar një rrëshqitje të gomës së pasme si një anomali, sepse Simonçeli nuk e ka lënë motorrin të bjerë. Duke e korrigjuar, sistemi ka bërë që goma të rrotullohet në sensin e kundërt. Kush ishte mbrapa, përveç Bautistës e Niki Hejdën, nuk arriti dot ta evitonte. I pari që e goditi Simonçelin ishte Kolin Eduards, më pas ishte radha e Valentino Rosit, që në mënyrë të pafajshme e ka goditur në kokë, duke i hequr kaskën. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për një moment fatal e të paparashikueshëm, pasi të gjithë pilotët kanë airbag në tutat e tyre.

Por, është e pamundur të mbrosh zonat afër kokës në rast se shtypesh. Gjithsesi, autopsia do të japë edhe përgjigjen përfundimtare se çfarë ka ngjarë realisht. Ajo është kryer tashmë, por nuk është publikuar ende. Pas vdekjes së Simonçelit, u përhap lajmi se Valentino Rosi, do të tërhiqet nga Moto GP, por kampioni italian e mohoi një gjë të tillë. E ndërkohë, skuderia e Simonçelit, Gresini Honda ka vendosur të mos marrë pjesë në garën e radhës, atë të Valencias më 6 nëntor.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›