Berisha, Ramës: “Do të të sfidoj të mërkurën”
Kryeministri Sali Berisha lajmëroi gjatë një konference për shtyp për organizmin e një mitingu paqësor ditën e mërkurë, në qendër të Tiranës. Ai ka ftuar qytetarë nga i gjithë vendi, pavarësisht bindjeve politike, siç tha ai, për të marrë pjesë në këtë miting paqësor dhe kundër dhunës. “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre partiake, që të bashkohemi në Tiranë ditën e mërkurë në një manifestim të fuqishëm paqësor kundër dhunës dhe për paqen”, – tha Berisha.
AKUZAT
“Edvin Kristaq Rama, së bashku me dy ish-ministrat e diktaturës, Ruçi e Gjinushi, dështoi me skenarin puçist të pushtonte Kryeministrinë. Rama, t’i dje drejtove nga lokalet e Fidelit puçin e marrjes së pushtetit me dhunë. Ti që u deklarove shqiptarëve se nuk do të kontrollojmë popullin, por ishe ti që shprehe gëzimin e papërmbajtur për jetët e humbura që u paguan me 20-30 mijë lekë për dhunën”, - akuzoi Berisha rivalin e tij politik. Ai sqaroi se qëllimi i mitingut është që “të japim mesazhin që pret nga ne bota e qytetëruar, në mënyrë që efektet e shëmtuara të akteve të djeshme të fshihen mundësisht sa më shpejt nga memoria”.
Kreu i qeverisë, në mandatin e tij të dytë si kryeministër, pohoi se “me aktet e tij, Edvin Kristaq Rama, që del çdo orë dhe lexon të njëjtin tekst, ndihet i lehtësuar sepse edhe në rast se dështoi për të marrë karrigen, mendon se me dëmtimin e imazhit të Shqipërisë ia doli që të dekurajojë turizmin masiv që do të vërshojë gjatë këtij viti në Shqipëri. Ai mendon se ia doli të dekurajojë investimet e mëdha që po ndodhin dhe do të ndodhin”.
Kryetari i Partisë Demokratike konkludoi: “Por, le t’ia lëmë atij të gjitha këto ëndrra dhe projekte të kobshme në kokën e tij të sëmurë. Ne të vazhdojmë të bashkohemi në një miting të madh, nga mbarë Shqipëria, ditën e mërkurë. Për orën dhe sheshin do të njoftohet shumë shpejt”.
DEKLARATA
Gjatë ditës së djeshme vijuan reagimet dhe kundërreagimet edhe nga deputetët e maxhorancës. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, bëri përgjegjës kryesocialistin Edi Rama për dhunën e ushtruar gjatë demonstratës së opozitës. Për deputetin Patozi, kreu i opozitës, Rama, tani kërkon të përfitojë me jetën e tri viktimave. Sipas tij, maxhoranca aktuale është legjitime dhe se nuk do të lejohet përmbytja e rendit demokratik në Shqipëri. “Rama është fajtor për vrasjet e së premtes. Përgjegjësia është e kryetarit të Partisë Socialiste”.
Edhe deputeti i PD-së, njëherësh ministër i Financave, Ridvan Bode, ishte në linjën e akuzave të ashpra të maxhorancës ndaj opozitës, e cilësoi demonstratën që organizoi Rama të premten një puç ndaj shtetit dhe një sulm ndaj imazhit të Shqipërisë. “Mbarë opinioni publik, i shokuar nga tërbimi me të cilin Edvin Kristaq Rama iu vërsul dje (të premten) kryeministrisë dhe rendit kushtetues të vendit, po përcjellin me po aq shqetësim përpjekjet e çmendura të tij për të justifikuar dhunën e organizuar prej tij mbi qytetarët dhe institucionet e vendit. Sipas tij, dhuna dhe rruga revolucionare e shpallur nga Rama ditët e fundit, nuk ka asgjë të përbashkët me aspiratën demokratike të shqiptarëve. “Dhuna pjell vetëm dhunokratura, pushtet të diktatorëve. Dhunokraturat janë atentat ndaj lirisë së individit, mirëqenies e sigurisë së tyre. Dhe kjo është parajsa e modelit pushtetor të Ramës”, - nënvizoi ministri Bode.
Olldashi: “Edi Rama, para ligjit”
“Ne presim vënien përpara ligjit të Edi Ramës dhe eksponentëve të tjerë që sulmuan dje (të premten) me molotovë, thirrjesh për gjak, institucionet e shtetit. Ne presim sot që institucionet e drejtësisë të venë përpara drejtësisë ata që kërkojnë publikisht vrasjen e mijëra njerëzve në emër të pushtetit të tyre”, - deklaroi dje ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Sipas tij, pak orë pas ngjarjeve të djeshme, është bërë edhe më e qartë se sulmi mbi institucionet e shtetit është shfaqja, në sytë e të gjithëve, e Edi Ramës, si qen i tërbuar, në kërkim të karriges së kryeministrit. “Ajo që ndodhi dje ishte përpjekje e qartë për marrjen e pushtetit me dhunë, qëllim përpara të cilit, sikurse deklaruan dje prostitutat politike që nuk kanë lënë gardh partie pa thyer, janë të gatshëm të vrasin 13 mijë njerëz, të përdorin si mish për top socialistët dhe qytetarët e këtij vendi”, - akuzoi zoti Olldashi, duke iu referuar një deklarate të dhënë nga përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela.
“Cila është kjo karrige pushteti që vlen sa jetët e 13 mijë socialistëve apo qytetarëve çfarëdo të këtij vendi? Opozita po kërkon të kafshojë Shqipërinë dhe po kërcënon qytetarët e saj me skenarin e ‘97-s”, - theksoi më tej Olldashi.
Grupi i PD-së: Ka vetëm një fajtor: Edi Rama
Një grup deputetësh të maxhorancës, përbërë nga Aldo Bumçi, Mesila Doda, Gent Strazimiri dhe Fatos Hoxha, vizituan dje anëtarët e forcave të rendit, të cilët u plagosën të premten gjatë protestës së opozitës. Deputetët e maxhorancës vlerësuan dhe shprehën mirënjohje të thellë për qëndrimin e forcave të rendit në mbrojtje të institucioneve dhe rendit kushtetues. Në emër të grupit të maxhorancës, deputeti i qarkut të Tiranës, Aldo Bumçi, u shpreh se shkuan për të vizituar punonjësit e policisë, të cilët janë plagosur nga dhuna e frymëzuar dhe e nxitur nga kryetari i PS-së, Edi Rama. “Ka një fajtor: Edi Rama, kryetar i PS-së, personi i cili frymëzoi dhe organizoi këtë. Në Tiranë dje mbizotëronte paniku, rrugët ishin boshatisur. Tirana ishte një qytet në ankth dhe terror nga kryetari i Bashkisë dhe kryetari i opozitës”, – tha Bumçi, kryetari i degës së Partisë Demokratike për Tiranën. Bumçi tregoi respektin për viktimat: “Ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe u shprehim atyre ngushëllimet tona”.
Topalli: “Rama i përdori si mish për top fëmijët”
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, i drejtoi një mesazh dhimbjeje dhe shqetësimi shqiptareve si grua dhe si nënë. Gjatë fjalës së saj ajo tha se “në radhë të parë grave dhe nënave që me pikëllim kanë ndjekur shpërthimin e dhunës se verbër, që tmerroi të gjithë shqiptarët dhe i ktheu ëndrrat tona vite mbrapa. Dhuna e verbër dhe thirrjet për gjak qe s’kanë të ndalur, kërkojnë të bëjnë pre jetën tonë, dhe të fëmijëve tanë. Mos i dëgjoni ata!”. Duke vijuar më tej Topalli u shpreh se lideri që vë përpara fëmijët tuaj për t’i përdorur si mish “për top” nuk duhet dëgjuar!
“Udhëheqësi që mbështetësit i shtyn në krim dhe pastaj i nxjerr në pritë duhet përçmuar! Politikani që thjesht dhe vetëm për karrigen e tij kërkon jetën e fëmijëve tanë, qofshin këta policë a protestues, duhet izoluar”, - deklaroi kryeparlamentarja. Ajo iu drejtua nënave, motrave e grave shqiptare dhe të gjitha atyre që u është dridhur zemra për bijtë, vëllezërit, burrat në të dyja anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke thënë se është koha për t’i dhënë fund dhunës e për t’i bërë thirrje arsyes! Ajo e mbylli fjalën e saj duke thënë se, “ai që refuzon të kryej detyrat e liderit, ai që fshihet pas xhamave të errëta të lokaleve luksoze ka objektiv dhunën, shkatërrimin e institucioneve, prishjen e paqes dhe të qetësisë se çdo familjeje shqiptare, dhe këtë kërkon ta bëjë duke përdorur si mish për top fëmijët, burrat, vëllezërit tanë”.
Meta: “Rama kreu puç politik, gjakosi Tiranën”
Skenari i parashikuar nga Rama dhe banda e tij për demonstratën e ditës së premte ka qenë më i keq se ai që u shfaq në bulevardin kryesor të këtij vendi. Kështu pohoi dje gjatë një deklarate për shtyp, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas tij, kryesocialisti Rama dogji dhe gjakosi dje Tiranën dhe se prokuroria duhet të hetojë sa më shpejt për ngjarjen. “Dhuna e djeshme u mirorganizua nga Rama”, - deklaroi ai në mënyrë mjaft të ashpër. Duke shtuar se ndaj forcave të policisë u ushtrua dhunë. “Dje (të premten) Rama nxori fytyrën e tij të vërtetë, në ato skena ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës”, - tha Meta. Sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të premten u organizua një puç i hapur politik, duke synuar marrjen e pushtetit me dhunë dhe me çdo kusht. “Rama kishte dërguar në atë demonstratë kriminelë”, - tha Meta.
PDI: “Dhuna ndaj institucioneve, e pajustifikuar”
Partia për Drejtësi dhe Integrim reagoi ditën e djeshme për ngjarjet që tronditën kryeqytetin Shqiptar. Nëpërmjet një deklarate për mediat, kjo parti shprehu keqardhje të thellë për viktimat dhe aktet e dhunës që u shënuan dje gjatë demonstratës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në deklaratë thuhej se “në këto kushte u bëhet thirrje palëve politike të ruajnë qetësinë dhe organeve të ligjit të hetojnë pa humbur kohë dhe me profesionalizëm për zbardhjen e plotë të ngjarjeve. Shqipëria nuk meriton të përflitet në mediat ndërkombëtare si një vend i destabilizuar dhe shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”, duke dënuar në vijim dhunën e pajustifikuar që u ushtrua ndaj institucioneve të shtetit shqiptar.
24 Janar 2011