E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Nuk do ti ndalim demonstrimet”



TIRANË – “Partia Socialiste nuk do t’i ndalë demonstrimet”. Ky ka qenë qëndrimi i kryesocialistit Edi Rama, i mbajtur dje, përkundër mesazheve që kanë ardhur nga faktori ndërkombëtar, e kryesisht nga SHBA-të, për ndërprerjen e protestave. Vetëm një ditë pas tragjedisë që ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, zoti Rama iu përgjigj akuzave të maxhorancës në dy daljet e tij, ndonëse ka qenë ditë zie për opozitën. Ai ka kërkuar nga Policia e Shtetit që të ekzekutojë urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria. “Apeli im për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është që të jetë drejtor i Përgjithshëm i kësaj policie, dhe jo një tjetër ekzekutor i një pushteti që ka humbur çdo legjitimitet. Ai nuk mund të mbajë në tryezë urdhër-ndalimet për njerëzit që kanë marrë jetë njerëzish”, - është shprehur Rama.

Skenari
Kryesocialisti Rama ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e opozitës për të vazhduar demonstratat e saj në mënyrë paqësore dhe pa dhunë. “Apeli im për miqtë ndërkombëtarë është të shohin drejt e në sy të vërtetën që është me e qartë falë kurajës dhe mundësive për të transmetuar prova të manipulueshme të atyre gazetarëve që sot janë edhe ata në një kacafytje për lirinë apo humbjen e saj me një pushtet që duhet të largohet, në mënyrë që Shqipëria të futet në normalitet dhe shqiptarëve t’u jepet e drejta e mohuar për të zgjedhur qeverinë e tyre me zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - theksoi Rama.
“As e kemi humbur dhe as do ta humbim këtë fill duke shkuar përpara me forcën e arsyes dhe refuzuar të biem pre e tundimit për të përdorur arsyen e forcës. Dje u provokuam barbarisht nga një polici shteti e keqpërdorur, e cila ndërhyn me bomba e blinda ujëhedhës mbi protestuesit. Do të vazhdojmë në rrugën tonë, nuk do të ndalemi në demonstrimet tona, sepse është një udhëkryq ku ndalen dy botë, ajo e lakuriqit të natës dhe ajo e dritës së të vërtetës. Do të vazhdojmë pa dhunë, paqësisht, urtësisht, me fuqinë e pandalshme të rezistencës së popullit. Ata në pushtet janë partia, ne në rrugë jemi populli”, - përfundoi fjalën e tij Rama.

Përplasja
Ditën e premte u organizua demonstrata e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku si pasojë e përleshjes mbetën të vrarë 3 persona, një tjetër është në gjendje shumë të rëndë dhe u plagosën rreth 80 persona. Deputetët socialistë nuk arritën që të mbajnë nën kontroll grupet e protestuesve të rebeluar. Por, pas vrasjeve, maxhoranca dhe opozita kanë adresuar akuza të ashpra me njëra-tjetrën. Publikimi i një videoje në media ka çuar në disa të dhëna që ndihmojnë hetimin. Rama iu referua kësaj videoje, duke u shprehur se krimi është bërë nga Policia e Shtetit dhe Garda.

Videoja
Eksperti: Vrasjet, të kundërligjshme

TIRANË - Qemal Demaj, ekspert kriminalistik me eksperiencë, ka bërë një ekspertizë të vrasjes së të paktën dy personave, që ndodhen në pamje filmike dhe fotografike, të regjistruara gjatë demonstratës së djeshme. Pas shqyrtimit të materialeve, Demaj ka deklaruar se e rëndësishme për të përcaktuar se nga janë qëlluar viktimat, është përcaktimi i hyrjes dhe daljes së plagës që ka shkaktuar vdekjen.
“Për të përcaktuar drejtimin e qitjes duhet të këqyret kufoma duke përcaktuar drejtimin e plagës dhe hyrje-daljen e saj. Nëse hyrja është në pjesën e përparme, viktima është qëlluar nga para dhe në këtë moment kemi hapje zjarr nga brenda Kryeministrisë”, - është shprehur Demaj. “Për përdorimin e armëve të zjarrit nga FA ka rregullore të shkruara. Përdorimi i armës kur një person qëndron në këmbë, pa kryer asnjë veprim, është e kundërligjshme”, - theksoi eksperti.

Balla: “Turp për Boden”

TIRANË – Në përgjigje të një deklarate të ministrit të Financave, Ridvan Bode, nga selia rozë ka reaguar deputeti i PS-së, Taulant Balla, i cili i konsideroi një turp akuzat e ministrit Bode. “Turp i madh për një ministër Financash të hedhë vrer për opozitën kur tërë populli e pa se si me urdhër të kryeministrit Berisha e ministrit Basha u vranë tre protestues të paqmë, të cilët nuk kishin asnjë mjet dhune në dorë”, - deklaroi deputeti socialist. Ai e akuzoi ministrin e Financave se pasi vodhi arkën e shtetit përmes kasave fiskale, duhet të ketë turp që del dhe akuzon opozitën për demonstratën e djeshme.
Ai akuzoi edhe Policinë e Shtetit për arrestimin e 113 protestuesve, gjoja nën alibinë, sikundër tha Balla, të të qenit kriminelë. E, në këtë kontekst, Balla bëri me dije se vetëm një nga të 113 të arrestuarit e protestës ishte një person me precedent penal, por për vjedhje celularësh. Deputeti socialist theksoi se “bilanci i së premtes me tre të vrarë mes protestuesve është mjaft i rëndë, ndërkohë që edhe dhjetëra protestues të tjerë janë plagosur, ndërsa mes radhëve të policisë, sipas Ballës, nuk pati asnjë të lënduar.
Balla sqaroi se shqiptarët e kanë para syve tashmë tablonë që flet për ata që protestojnë dhe ata që i vjedhin shqiptarët përditë.

Përfaqësuesit e opozitës, homazhe në bulevard

TIRANË – Përfaqësuesit e opozitës kanë bërë homazh mesditën e djeshme në vendin ku u vranë tre protestuesit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me të gjithë grupin parlamentar të PS, si edhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj force vendosën lule në nderim të tre demonstruesve që u qëlluan me plumba pasditen e 21 janarit. Në ceremoni u bashkuan me lidershipin e Partisë Socialiste edhe drejtues të tjerë të lartë të opozitës si Paskal Milo, Nard Ndoka, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela, Preç Zogaj, Ervin Mete, e të tjerë, të cilët gjithashtu paraqitën homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me korteun u bashkuan edhe disa qindra qytetarë, të cilët ecën në heshtje përgjatë bulevardit, deri te Kryeministria e më pas vendosën lule e qirinj pranë vendeve ku tre nga demonstruesit gjetën vdekjen si pasojë e plumbave të efektivave të Gardës së Republikës. Gjatë ditës së djeshme opozita nuk përdori sloganet politike dhe parullat që u përdorën ditën e premte.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur keqardhjen, dhimbjen dhe shqetësimin e tij që tubimi i djeshëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit përfundoi në një arenë të dhunshme midis forcave të policisë dhe demonstruesve.

Në deklaratën e kësaj organizate thuhet se mbështetet e drejta për tubim dhe protestë paqësore e të paarmatosur, si një e drejtë e rëndësishme e shtetasve në shoqërinë demokratike. Ne jemi të mendimit se, në pasojat tragjike që rezultuan në ngjarjen e djeshme, ka ndikuar situata e rëndë politike në vend, e krijuar për shkak të mungesës së dialogut midis forcave politike të pozitës dhe opozitës.
Manifestimi i dhunës nga të dyja palët nuk është në përputhje me të drejtën për tubim e manifestim, ndërsa tejkalimi i forcës së ushtruar nga strukturat e shtetit është sjellje e rëndë për situatën konkrete dhe bie ndesh me mënyrën se si duhet të veprojë një shtet demokratik. Në mënyrë të veçantë përdorimi i forcës dhe dhunës nga policia mbi qytetarët, pas shpërndarjes së manifestimit, është e pajustifikuar dhe e panevojshme.
Drejtuesit politikë të të dyja krahëve t’i japin fund gjuhës së urrejtjes, të ndërpresin deklaratat nxitëse dhe prononcimet e parakohshme lidhur me çështje të tilla si hetimi dhe deklarimi i fajtorëve, të cilat nuk janë në kompetencë e tyre, por në kompetencë të një pushteti tjetër të pavarur, atij gjyqësor përfundon deklarata e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

24 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›