Berisha, Ramës: Gjykata nga rrëzoi edhe ne, pranoji vendimet e drejtësisë
“PS në Kuvend, jo kundër vendimeve të gjykatave”
“Dialog me Ramën, jo me kockat mafioze të tipit “Ruçi”
Kryeministri Sali Berisha zgjodhi dje Krujën e Skënderbeut për t’i bërë të qartë opozitës se kërkesa e saj për hapjen e kutive nuk do të realizohet edhe sikur kryesocialisti Rama tw ngrejë Enver Hoxhwn nga varri. Kreu i qeverisë e ftoi sërish PS-në për bashkëpunim dhe dialog në sallën e Kuvendit, por sipas tij, nuk do të ketë asnjë kompromis në kurriz të shtetit ligjor apo me kockat mafioze të tipit “Ruçi”. Kryeministri Sali Berisha reagoi në lidhje me protestën e opozitës pranë selisë së Këshillit të Ministrave, duke vlerësuar se kjo nuk është një zgjidhje. Ai kujtoi rrëzimin që gjykata i beri kërkesës së PD-së për rinumërim të votave ne Fier duke apeluar që edhe opozita të pranoje vendimet e drejtësisë. Berisha i bëri thirrje kryetarit të PS-së që të ndalë këtë fushatë të paralajmëruar se do të zgjasë tri ditë dhe të fusë deputetët e tij në Parlament. Në këtë rast, Kryeministri Berisha dha garancinë e fortë për faktin se nuk do të ketë rihapje kutish, pasi gjyqësori e ka dhënë verdiktin: “Edhe Enver Hoxhën po ta zgjosh nga varri, harroje se mund të ndryshosh vendimin e gjykatave të këtij vendi të lirë”. Në takimin me banorët e Krujës, Berisha iu drejtua kryetarit të PS-së: “Nga vendi i Skënderbeut, i them Edi Ramës se jam i hapur për bashkëpunim, por jo me kocka mafioze të tipit “Gramoz Ruçi”. Në vijim, duke folur për zhvillimin e vendit, Berisha u tha të pranishmëve: “Në këtë vit, që nga koha e Skënderbeut, ne shënuam hapat më të mëdhenj në drejtim të integrimit tonë”. Këto pohime Berisha i bëri nga Kruja, ku përuroi rrugën e re, Krujë - Sarisalltik. Ai vlerësoi se kjo rrugë do t’i japë gjallëri kësaj zone si për pelegrinazhin në teqenë e Sarisalltikut, ashtu edhe për mundësitë e zhvillimit të turizmit. Por, më tej, informoi banorët krutanë: “Para se të vija këtu, i përshëndeta protestuesit, thirrja ime ishte e sinqertë, pati nga ata që e mirëpritën dhe të tjerë që jo, pasi është meritë e demokracisë, pasi e drejta e protestës është e garantuar. Jam dhe do mbetem i hapur në respekt të plotë të rolit dhe bashkëpunimit të opozitës, por jo me qen të rrahur dhe kocka mafioze si Gramoz Ruçi”. Berisha vuri në dukje se vazhdon të mbetet i hapur për dialog me opozitën e majtë. Gjithashtu, gjatë përurimit të djeshëm, kreu i ekzekutivit garantoi përmbushjen e premtimit elektoral të kësaj mazhorance, se shqiptarët do të lëvizin pa viza brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Berisha u shpreh: “Brenda 6-mujorit të parë ne mbetemi të vendosur për të lëvizur pa viza në BE. Për këtë do të punojmë dhe këtë do ta shndërrojmë në realitet. Vendimi i datës 16 nëntor do të bëhet i prekshëm, pasi ne po e shndërrojmë Shqipërinë dhe po i japim asaj pamje evropiane”. “Janë edhe rreth 1160 ditë gjer në vitin 2013, me durim të ulemi, të përgatisim, të përmirësojmë të gjitha ato që janë për t’u përmirësuar. Zgjedhjet nga e gjithë bota u identifikuan si zgjedhjet më të mira që ka njohur Shqipëria, ndaj jemi të vendosur me përkushtim të madh të bëjmë çdo përpjekje që ju, gjatë 6-mujorit të parë, të keni vendimin përfundimtar të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave, pra të lëvizni të lirë në mbarë Evropën”, - deklaroi z. Berisha.
Kryeministri përuron rrugën e teqesë së Sarisalltikut
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në përurimin e fillimit të punimeve në aksin Krujë – Sarisalltik që i vjen në ndihmë plegerinëve të teqesë së zonës. E cilësuar nga Kryeministri Berisha si një nga rrugët më të bukura turistike në vend, kjo rrugë do të përfundojë brenda 15 muajve dhe kap vlerën e 340 milionë lekëve, me një gjatësi prej 6.3 kilometrash. Në këtë përurim, përveç banorëve të shumtë, merrnin pjesë edhe ministri i Transporteve dhe Punëve Publike Sokol Olldashi, pushtetarë vendorë dhe deputetë të zonës. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha garantoi: “Ai vendim që u mor më datë 16 nëntor, do të shndërrohet progresivisht në një mirësi të prekshme nga çdo qytetar shqiptar. Ne po e ndryshojmë Shqipërinë dhe po i japim asaj pamjen evropiane. Ne po ngjitemi drejt majave se ato na presin dhe vërtet kjo është një rrugë e shkurtër me 342 milionë investim, por është një rrugë që kap një majë dhe nuk ka asnjë aspiratë më të drejtë të njeriut sesa të ngjitet sa më lart në interesin më të mirë të tij, të familjes dhe të vendit të tij”.
Topi, mesazh urimi Presidentit të ri të BE-së
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi dje një mesazh urimi Presidentit të Bashkimit Evropian, Herman van Rompuy, me rastin e zgjedhjes në detyrën e lartë. Në mesazhin e tij, Topi shkruan: “Kjo zgjedhje, rrjedhojë e Traktatit të Lisbonës, do ta forcojë ndjeshëm rolin e Bashkimit Evropian, si zë të fuqishëm politik dhe ekonomik në arenën ndërkombëtare.
Shqipëria, vend i Ballkanit Perëndimor, anëtare e NATO-s dhe aspiruese për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, e vendosur të luajë një rol moderator në rajon, kontribuuese në stabilitetin, zhvillimin e integrimin e tij çmon shumë të rëndësishme njëzëshmërinë politike të Bashkimit Evropian ndaj proceseve integruese të vendeve të rajonit tonë”. Më pas, ai thekson bindjen në vazhdimësinë e mbështetjes së Shqipërisë ndaj BE-së dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ngushtë mes palëve.
Kongresi i 17-të, PLL: Të dënohen krimet e komunizmit
Në ditën e mbledhjes së kongresit të shtatëmbëdhjetë, legalistët i kërkuan qeverisë “Berisha” që të bëjë të mundur dënimin e krimeve të komunizmit. Në këtë kongres kanë marrë pjesë delegatë nga të gjitha degët e PLL-së brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë diskutuar për aktivitetin e kësaj partie gjatë katër viteve të fundit. Në një deklaratë për shtyp, thuhet se Legaliteti ka nxitur qeverinë e Kryeministrit Berisha të marrë masa të shpejta për dënimin e krimeve të komunizmit si dhe dëmshpërblimin e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Në funksion të zgjerimit të identitetit politik, ky kongres miratoi disa shtesa në programin e partisë, ku veçohet se PLL-ja deklarohet edhe si parti e njerëzve që besojnë në Zot. Për këtë qëllim, sipas tyre, PLL-ja shpall gatishmërinë e një partneriteti me faktorët e interesuar për materializimin e interesave të përbashkëta që shteti laik të mos veprojë si shtet ateist, që komunitetet fetare të kenë pavarësinë e tyre vendimmarrëse dhe ekonomike, por edhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit.