E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbehet protesta e opozitës, socialistët braktisin sheshin



PS-në e kap paranoja, “e tremb” një fuoristradë policie

Rama mbledh grupin parlamentar nën çadra

Shumë herë më të pakët në numër, ku sheshi qendror para godinës së qeverisë dje qëndroi gjatë gjithë ditës pothuajse i zbrazët dhe bosh. Ata që i “mbijetuan” protestës në ditën e saj të dytë, u filmuan nga lart prej kamerave të “Ora News”, filmime të cilat shfaqën në mënyrë të qartë një shesh të boshatisur. Në rast se ditën e parë protestuesit socialistë ishin të sigurt në euforinë e tyre, ditën e djeshme i mbërtheu edhe paranoja dhe frika. Shkak u bë një fuoristradë e policisë, pas kangjellave të godinës qeveritare, duke bërë me hije socialistët edhe pretendimi se po i përgjonte policia e shtetit. Më të pakët në numër sesa ditën e fillimit të protestës, socialistët dje provokuan edhe me hedhjen e vezëve drejt godinës qeveritare, ndërkohë që deputeti Fatmir Xhafa akuzoi se në oborrin e Kryeministrisë ndodhej një makinë që survejonte gjithë protestën. Madje, sipas tij, survejoheshin dhe celularët e opozitës. Kurse kreu i PS-së, Edi Rama, shigjetoi ashpër Kryeministrin Berisha pas deklaratave të tij në Fushë-Krujë se sikur edhe Enver Hoxha të ngrihej nga varri kutitë nuk do të hapen. Sipas humbësit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Berisha fshihet pas kutive. “Sot në një çerek dritare të hapur të kësaj godine shurdhe, ai që me vota të vjedhura quhet Kryeministër, u shfaq pas xhameve, duke bërë shenja me gishta si një i marrë që ka humbur gojën dhe mendjen”, - theksoi Rama. Kryesocialisti theksoi se qeveria po tregon shenja të frikës nga hapja e kutive, duke sjellë si shembull edhe deklaratën e ministrit të Shëndetësisë, i cili dha alarmin e gripit të derrave, duke këshilluar shmangien e grumbullimeve masive. Ndërsa ka falënderuar qytetarët e pranishëm në protestën e madhe të opozitës, kreu socialist i ka bërë sërish thirrje Kryeministrit në ditën e dytë të protestës për të hapur kutitë e votimit e për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Etapat e protestës, Majko: Grupi, pa asnjë vendim specifik

Në çadrat e ngritura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryesocialisti Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të PS-së. Mbledhja e pazakontë kishte si qëllim diskutimin në lidhje me hapat e mëtejshëm të opozitës pas mbylljes së protestës ditën e diel. Në mbledhjen e kryesuar nga Edi Rama ishin të pranishëm afro 50 deputetë, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi dhe Spartak Ngjela. Pas përfundimit të mbledhjes në orët e mbrëmshme, deputeti socialist Pandeli Majko njoftoi për mediat se mbledhja ishte e karakterit organizativ, ndërkohë që sipas tij, është diskutuar fakti se protesta e nisur do të jetë vetëm fillimi i një aksioni që do të përfundojë me zgjidhjen e krizës politike në vend. “Takimi u mbajt në çadër për shkak të arsyes që na ka mbledhur, krizës politike që na ka prekur. Ajo që u diskutua, ishte se si do të orientohet situata në krizën politike që ekziston”, - theksoi Majko.

Duke nënvizuar se opozita nuk ka bërë asnjë deklaratë për përdorimin e dhunës në rast të mosgjetjes së dialogut me qeverinë, Majko vuri në dukje se sipas tij, forca e PS-së janë 100 mijë njerëzit që kërkuan dje (pardje) në shesh hapjen e kutive të votimit. Majko bëri të ditur se në mbledhjen e grupit kuvendor nuk u mor asnjë vendim specifik në lidhje me etapat e tjera që do të ndjekin socialistët në mbrojtje të votës. Majko përmendi 5 dhjetorin si datën e radhës, kur sërish do t’i kërkohet qeverisë të bëjë transparencën e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›