Berisha-Ramës: I ke nervat të lodhura, rri në autobus. Qëllimi im, punësimi
Librazhd- Kryeministri i vendit është ndalur në qytetin e Librazhdit në mbrëmje për të prezantuar keandidatët për deputetë të PD-së në këtë qark, për të cilët tha se do të jenë deputetët e interesave të qytetarëve.
Duke përmendur arritjet e qeverisë Berisha në këto 2 mandate, kryeministri tha se në 4 vitet që vijnë ka ende shumë për të bërë.
Katër vitet që vijnë janë vitet e infrastrukturës më moderne, e ujësjellësit të ri të Librazhdit e zonave përreth, nga malet e Shebenikut. Së shpejti inaugurojmë punimet në të gjithë gjatësinë e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Rruga që çon drejt parkut mahnitës kombëtar Shebenik-Jabllanicë është në asfaltim e sipër. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë natyrore të këtij rrethi ti shndërrojmë në të mira materiale për qytetarët e Librazhdit. Në këtë rreth të pasur me ujëra, në rrjedhat lumenjve e burimeve të tij janë të kontraktuara me koncesion rreth 53 hidrocentrale, me një fuqi të instaluar prej rreth 200 megavat, me një investim prej 250 milionë euro. Vetëm këto hidrocentrale do të punësojnë së paku 4 mijë punëtorë nga Librazhdi.
Këto janë përpjekjet tona. Përsëri rrugën nuk e kemi bulevard. Sërish shumë punë kemi për të bërë, por një gjë është e pamohueshme: nga ato që kemi shpallur, ne kemi arritur jo pak,- tha Berisha.
Berisha nuk la pa akuzuar as liderin e opozitës Edi Ramën, duke ju përgjigjur deklaratave të kryesicialistit një ditë më parë, ai tha:
Ju e dëgjuat vetë zotin Rama, kur në një bisedë me qytetarët e Tiranës do tu thoshte atyre, tek më adresohej mua, se po ti kërkosh punë të thotë rrugë, po ti kërkosh shkollë të thotë rrugë, po ti kërkosh ujësjellës të thotë rrugë. I nderuar zotëri, i ke nervat e lodhura. Dhe i ke të lodhura shumë nga rrugët që ti ecën. Por, meqenëse e shtrove këtë problem dhe në këtë mënyrë, po të përgjigjem këtu, para këtyre qytetareve: puna dhe punësimi janë qëllimet e mia më madhore dhe fakti që në këtë rreth, bizneset janë rritur nga 700 në 1420 dëshmon se ne kemi nxitur, inkurajuar biznesin dhe zhvillimin e tij… ne kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla në mbarë Shqipërinë dhe do të rindërtojmë çdo shkollë anekënd këtij vendi- tha ai.