E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Kriza, një ëndërr nate, Shqipëria po zhvillohet

Berisha, në “City Park”: Suksesi i biznesit, shembull i shmangies së krizës

“Ekonomia shqiptare, imune ndaj krizës botërore”
Ekonomia shqiptare i qëndroi krizës globale dhe, sipas Kryeministrit Sali Berisha, kjo dëshmohet nga investimet e mëdha që po realizohen mbështetur në parimet më të shëndosha të tregut. Nga ambientet e “City Park”, qendra më e re tregtare dhe argëtuese në Tiranë dhe më e madhja e këtij lloji në Ballkan, Kryeministri Sali Berisha përcolli dje mesazhin se investime të këtyre përmasave garantohen falë reformave të thella dhe politikave fiskale të ndërmarra nga qeveria. Në ceremoninë e përurimit të kësaj qendre tregtare, ndër më të mëdhatë në rajon, z. Berisha e cilësoi hapjen e saj si një kartolinë që AM Group bën për shqiptarët me rastin e festave të fundvitit. Por si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të kryesocialistit Edi Rama se vendi është përfshirë nga kriza ekonomike, Berisha i sugjeroi atij që të mos shikojë ëndrra me krizë ekonomike, pasi Shqipëria po ecën e sigurt drejt zhvillimit, duke qëndruar imune ndaj krizës globale.
“Ftoj edhe ndonjërin që ëndrrat e natës i merr për realitet të ditës, të vijë dhe të shohë që kriza është një ëndërr nate, sepse Shqipëria ecën zhvillohet dhe inauguron qendra të tilla”, - u shpreh Berisha. Qendrën e “City Park” Kryeministri e cilësoi si një pol të zhvillimit urban të Tiranës dhe si shembullin e suksesit të ekonomisë shqiptare. Z. Berisha vuri në dukje se investime të tilla të mëdha tregojnë më së miri se ekonomia shqiptare nuk është në krizë, duke sulmuar kështu edhe qëndrimet opozitare për ekonominë. “City Park” është edhe njëra nga qendrat më të mëdha të Ballkanit në llojin e saj. Për ngritjen e saj janë investuar 80 milionë euro nga AM Group. Projekti planifikohet që të zgjerohet më tej në të ardhmen me investime deri në 200 milionë euro.
“Janë politikat fiskale dhe reformat e thella ekonomike që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe ndërmerr, të cilat garantojnë suksesin e vërtetë të investimeve të tilla. Ekonomia shqiptare qëndron në këto vite në një cunami të vërtetë financiar dhe ekonomik për Evropën dhe botën. Ajo qëndroi jo se ishte e izoluar, jo se ishte e centralizuar, por qëndroi, sepse ishte e mbështetur në parimet më të shëndosha për tregun: me taksa të ulëta, investime të mëdha, administratë të vogël. “City Park” është dëshmi e suksesit të kësaj ekonomie, dëshmi e suksesit të këtyre reformave”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri Berisha, ndërsa vizitoi të gjitha pavijonet që reklamonin markat më prestigjioze botërore, ftoi qytetarët dhe në veçanti lidershipin socialist, që të njiheshin më nga afër me atë që ai e cilësoi realitet i ri në ekonominë shqiptare.
“Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë të vizitojnë “City Park”. Ftoj edhe ndonjërin që ëndrrat e natës i merr për realitetin e ditës të vijë këtu, të pijë ndonjë kafe dhe të shohë që kriza është thjesht një ëndërr e keqe nate, sepse ditën Shqipëria vetëm zhvillohet, inauguron qendra të tilla të fuqishme, thith investime të huaja”, - theksoi z. Berisha. Qendra tregtare dhe argëtuese “City Park”, një investim i AM Group dhe Tirana Bank, ka në brendësi të saj marka të njohura në botë jo vetëm në fushën e veshjeve apo ato të pajisjeve elektro- shtëpiake, por ofron në mënyrë të veçantë dhe ambiente argëtuese për fëmijë e të rinj. Për Arjan Menën, përfaqësues i AM Group dhe kjo është faza e parë e këtij investimi që deri më tani kap një shifër rreth 80 milionë euro, ku janë punësuar dy mijë punonjës. Kjo sipërmarrje, një ndër më të mëdhatë në rajon për aksionerët e “City Park” synon të shkojë në 210 milionë euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›