E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Ramës: Lëre "duelin" me Maqon, kthehu në Kuvend

Kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur dje të njëjtën ftesë për opozitën për t‘iu rikthyer sallës së Kuvendit. Në kërkim të debatit të munguar në Parlament, për shkak të bojkotit të opozitës, e cila ka frenuar punën në komisione parlamentare dhe mban peng gjithashtu edhe vijimësinë e reformave, Kryeministri ka kërkuar që opozita të zërë 65 karriget e veta në Parlament. Nga Mamurrasi, kreu i qeverisë e ka ftuar publikisht Edi Ramën t‘i kthejë deputetët në sallën e Kuvendit, duke i dhënë fund bojkotit, të cilin Kryeministri e quan një vendim absurd që synon të krijojë destabilitet në vend. Ftesat e Kryeministrit për rikthimin e opozitës në Parlament vazhdojnë të ngelen të njëjta, por që vazhdojnë të ngelen në kuadër të thirrjeve që bëhen nëpërmjet deklaratave publike. Kryeministri i kërkon opozitës t‘i japë fund bojkotit, duke premtuar se do t‘ia shtrijë dorën asaj për reformat, por ende nuk ka dhënë asnjë strategji se në cilën mënyrë Kryeministri Berisha do ta bindë kreun e PS-së, Edi Ramën, ta sjellë Partinë Socialiste në Kuvend. Sipas Kryeministrit, synimi i vetëm i këtij vendimi është për të penguar proceset integruese të vendit, që sipas tij është një gabim i pafalshëm për zotin Rama.

"Është e rëndë që të përpiqesh t‘i fusësh shkopinj nën rrota këtij procesi. Rama nuk duhet ta pengojë partinë e tij të hyjë në Parlament, pasi atje është vendi i debatit dhe i reformave që prekin çdo qytetar shqiptar", u shpreh Berisha.

"E ftoj zotin Rama të mos pengojë partinë e tij të hyjë në Parlament. Aty është vendi i debatit konstruktiv, është vendi i vendimeve, por mbi të gjitha është vendi i reformave që prekin çdo qytetar dhe familje shqiptare, sepse kanë të bëjnë me të ardhmen europiane të tyre dhe të fëmijëve të tyre", tha ai.

Kryeministri ka komentuar gjithashtu edhe duelin Rama-Lakrori, duke i kërkuar kreut të PS-së ta lërë duelin me zotin Lakrori dhe t‘ia lërë radhën duelit PD-PS në sallën e Kuvendit. "Shfrytëzoj rastin këtu, në emrin tuaj, t‘i bëj edhe një herë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste ta lërë duelin me zotin Lakrori, apo ‘dream team‘, siç po e quajnë të rinjtë dhe ta kthejë partinë në Parlament, sepse ky është një vend normal e kanë ikur kohërat kur Shqipërinë mund ta normalizonin", tha Berisha. Sipas tij, Shqipëria po ecën e sigurt drejt proceseve të mëdha integruese, është vend anëtar i NATO-s dhe kjo ka qenë arritje historike. "Këtë vjeshtë do të ketë vendime të mëdha për Shqipërinë në Bashkimin Europian, vendime që kanë të bëjnë me statusin e kandidatit, vendime të cilat të gjithë shqiptarët pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë qeveritarët, politikanët, zyrtarët duhet të jenë në lartësinë e seriozitetit të tyre, vendime që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, lëvizje që shqiptarët e kanë pritur në shekuj", theksoi Berisha. Takimin e tij të radhës në Mamurras, Kryeministri Berisha e ka mbyllur duke u dhënë fjalën kryetarëve të komunave që qeveria do të financojë çdo projekt për këto komuna, për Mamurrasin, për Kurbinin. Në fund të fjalës, Kryeministri Berisha uroi për festën e Bajramit edhe të gjithë qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›