E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama ashpërson tonet: Do mbrojmë me të gjitha mjetet votën e shqiptarëve

"Pa u hapur kutitë e votimit, nuk ka hyrje në Parlament". Kështu i është drejtuar anëtarësisë socialiste kandidati për kreun e PSSH-së, Edi Rama, i cili, i shoqëruar edhe nga kandidati Maqo Lakrori, shpalosën dje në Fier platformat e tyre. Kreu i PS-së, në fjalën e tij i ka kushtuar një rëndësi të veçantë sigurisë së zgjedhjeve, që në 28 qershor u cenuan. Ai kujtoi nenin e Kodit Zgjedhor, i cili parashikon hapjen e kutive të votimit dhe të materialeve zgjedhore vetëm me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së. "Dhe nëse ky nen u shkel me këmbë nga Sali Berisha dhe pushteti i tij i kapur fort nga vjedhësit dhe kriminelët, për çfarë duhet të vlejë Parlamenti? Shqipëria nuk është vend i pushtuar dhe nuk do të lejohet nga socialistët që të pushtohet. Me të gjitha mjetet nuk do të lejojmë të ndodhë kjo, pasi edhe në këto zgjedhje Shqipëria tregoi se votoi si dikur në pjesën mafioze të Italisë Jugore, ku vota kontrollohej nga mafia. Është koha të rezistojmë me të gjitha mjetet. Do ta realizojmë këtë rezistim. Duke nisur që nga protestat në shesh e deri me mjete të tjera më të forta, do të përdoren për të çuar të drejtën e votës së shqiptarëve në vend", tha kreu në detyrë i PSSH-së, Edi Rama.

Si Rama, edhe Lakrori, nuk kanë lënë pa përmendur koalicionin aktual qeverisës. Për Metën, Rama është shprehur se ai ndodhet sot në prehrin e Sali Berishës, edhe pse gjatë fushatës zgjedhore u betua se ishte ekstremisti më i majtë dhe se ai e forca që ai përfaqësonte, kërkonte me ngulm për largimin e Berishës nga karrigia. Ndërsa paradite Rama u ndal në Berat për të vijuar përballjen me kandidatin tjetër, Maqo Lakrori. Takimi me anëtarët dhe drejtuesit e strukturave të bazës së PS-së në këtë qark, është zhvilluar pa praninë e medias, e cila nuk është lejuar nga badigardët e ardhur nga Tirana. Ka rënë në sy mungesa e deputetëve të kësaj partie për Qarkun e Beratit, Erion Braçe dhe Marko Bello, por edhe qëndrimi jashtë sallës së mbledhjes së deputetit Bashkim Fino dhe i disa dhjetëra simpatizantëve të vjetër të PS-së në Berat. Kandidati Maqo Lakrori ka prezantuar i pari platformën e tij për drejtimin e partisë. Ndërsa më pas kryetari në detyrë, Rama, ka ripërsëritur akuzat për vjedhje votash, çka sipas tij ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama ka deklaruar se PS doli fituese në zgjedhjet e përgjithshme në Qarkun e Beratit, por sipas tij rezultati do të ishte edhe më i thellë në Berat dhe kudo nëpër Shqipëri nëse grupet kriminale nuk do të ishin nxjerrë nga burgu. Në vijim të fjalës së tij, Rama u shpreh se PS nuk bën pazare me Metën dhe nuk shitet te Berisha për të mbrojtur interesat e familjes së tij. Ai akuzoi familjen Berisha duke e quajtur "familjen e pinjollëve" që ka gjunjëzuar Shqipërinë, por që Partia Socialiste, sipas tij, nuk do të lejojë që ky gjunjëzim të vijojë gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›