E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Mos bëj garë premtimesh me mua

Në vijim të turit “Shqipëria në NATO” në qytetin e Beratit, kryeministri Berisha nuk ka lënë pa atakuar liderin e opozitës, i nxitur këtë radhë edhe nga prania e kryebashkiakut të këtij qyteti, i cili është i PS-së. 

Duke folur në një takim me qytetarët, kreu i qeverisë është shprehur se, “po erdhe në Berat vizito shkollën Bab Dud Karbunara. Mos u thuaj ku e keni internetin, se ja ku është interneti. E dyta, harroje garën me mua në premtime. Unë jam njeri i fjalës së dhënë, jam njeri i premtimit të mbajtur. E kam shumë të thjeshtë qëndrimin tim, e mendoj shumë herë para se të premtoj, por ama po premtova në mënyrë absolute nuk i shqitem. Prandaj mos më imito me premtime e gjëra të tilla, se kot e ke”. Gjatë takimeve të tij në Berat, kreu i qeverisë premtoi se në qershor do të shkojë një tjetër buxhet suplementar në Parlament. Sipas tij, ky buxhet ishte planifikuar edhe para se të shitej ARMO, ndërkohë që me këtë privatizim, buxheti pritet të jetë më i lartë. Në këtë takim, kryeministri Berisha ka kritikuar ashpër mjekë, prokurorë e gjyqtarë, teksa shtoi se, për secilën nga këto kategori ka njerëz që kërkojnë ryshfet. Madje, Berisha ka qenë edhe më konkret kur ka thënë se provë e korrupsionit është edhe lirimi i një vrasësi nga kryetari i Gjykatës së Elbasanit, apo edhe vdekja e 7 minatorëve në Bulqizë. “7 minatorë kanë humbur jetën në Bulqizë. Në të gjitha rastet prokurorët e këtij rrethi ndajnë paratë me hajdutët, sikur ata të ishin viça”, është shprehur më tej kreu i qeverisë, teksa ka kërkuar edhe mbështetjen e qytetarëve për luftën ndaj korrupsionit. Në vizitën e tij në këtë rreth Berisha mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Lapardha-Lumas, në komunën e Otllakut. Rruga, me gjatësi 11 kilometra, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 53.4 milion lekë. Kryeministri e cilësoi këtë investim një tjetër premtim të mbajtur dhe të rëndësishëm, pasi rruga e re lehtëson shumë qarkullimin dhe veprimtarinë e banorëve të Lumasit dhe i lidh ata brenda 10 minutave me rrugën nacionale. “Në takimin që pata në komunë, kryetari juaj më njohu me tw gjitha projektet e realizuara pwr ju. Me konceptin e tij të shkëlqyer në qeverisjen e kësaj komune, e cila i ka dhënë mbështetje 90 djemve dhe vajzave për vazhdimin e studimeve universitare, më shumë se çdo bashki e madhe e Shqipërisë”, theksoi Berisha në takimet e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›