E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komandoja dënohet me 12 vjet burg, vrau të dashurin e të ëmës

TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 12 vjet burg ish-komandon Aldo Morina, nën akuzën e vrasjes së shtetasit Mehmet Beqiri në janar të këtij viti. Mësohet se Morina përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, dhe për këtë arsye dënimi i tij u ul me 8 vjet.

Sipas prokurorisë, motivi i vrasjes së shtetasit Mehmet Beqiri ishte lidhja intime ky i fundit kishte me të ëmën e autorit. Që në krye të herës, organi i akuzës rindërtoi të gjithë ngjarjen e rëndë, si dhe sqaroi konfliktet e lindura mes viktimës dhe autorit.

“Aldo Morina, komando në Repartin e Forcave Speciale të Ushtrisë, Zall Herr, Tiranë. Për shkak të funksionit që kryen, shtetasi Aldo Morina është i pajisur me armatim luftarak personal, me pistoletë të modelit “Bereta”. Mehmet Beqiri, shërben si shofer taksie me automjetin e tij me targë TR 84xx A. Rreth vitit 2007 shtetasi Mehmet Beqiri ka krijuar një lidhje jashtëmartesore me shtetasen M.Morina, e cila është e ëma e Aldo Morinës. Djali i ka kërkuar Mehmet Beqirit që të shkëpuste lidhjet me të ëmën, me qëllim që të mos krijoheshin konflikte familjare”, - thuhet në dosjen e prokurorisë. Duke qenë se Beqiri, nuk e ka ndërprerë lidhjen intime me të ëmën e komandos, nuk është pritur mirë nga ky i fundit. Kështu rreth orës 14.00 të datës 1 janar 2013, Aldo Morina ka shoqëruar me makinën e tij të ëmën, e cila punonte në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas prokurorisë, sapo ka dalë nga territori i Spitalit Pediatrik, Morina ka parë Mehmet Beqirin që ndodhej shumë pranë godinës së spitalit. Ai ka dyshuar se e ëma do të takohej sërish me të, ndaj ka parkuar makinën për të vërtetuar dyshimet e tij. Pak minuta më pas, M.Morina ka dalë nga godina e Spitalit dhe është futur në të njëjtën rrugicë ku ishte futur dhe Mehmet Beqiri. Komandoja e ka ndjekur të ëmën dhe sapo ajo është ngjitur në makinën e Mehmet Beqirit, ai u ka vajtur pranë dhe ka nisur të debatojë me fjalë me taksistin.

“Gjatë debatit, shtetasi Aldo Morina ka nxjerrë nga brezi armën luftarake dhe me anë të saj ka qëlluar disa herë mbi shtetasin Mehmet Beqiri, i cili ishte i ulur në vendin e drejtuesit të automjetit. Pas kësaj, shtetasi Aldo Morina ka nxjerrë nga vendi i pasmë i pasagjerit shtetasen M.Morina dhe të dy janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në dosje. 

Morina u vetëdorëzua në polici disa orë pas ngjarjes, pasi ka vënë në dijeni eprorët e tij në repartin ushtarak.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›