Berisha Rames i jane erresuar syte per karrigen e Kryeministrit
Aleancë e ndërmjetësuar nga kontrabandistë. Për Sali Berishën ky është përkufizimi i bashkëpunimit të Edi Ramës me Ilir Metën
“Pasi ia mbyllëm kanalet e kontrabandës dhe e patën arrestuar atë 6-7 vjet më parë, Nard Koka u fut në aleancë. Po tani u thoshte të tjerëve se duhet të marrim edhe Ilirianin se jemi në qeveri. Po nuk mund të jesh edhe qeveri edhe opozitë. Se kush është qeveri dhe kush është opozitë, atë e ka përcaktuar Kushtetuta”, sqaroi Berisha.
Mesazhin e kohëve të fundit e ripërsëriti
“Disa ditë më parë i deklarova se ngjalat e Nard Kokës do të ngelin në fyt, i ngeli e para. Prisni se ju jap fjalën e nderit që një e nga një gjithsecila. Edhe kësaj herë do ta ketë shumë të rëndë problemin, se halat e ngjalave nuk dalin kurrë nga fyti.”, vijoi më tej Kryeministri.
Tërheqja e anëtarëve nga KQZ-së sipas kryetarit të mazhorancës është frikë nga zgjedhjet. Edhe pasi u bashkuan janë në pakicë tha Berisha për PS dhe LSI.
“Nuk ua mban, tërhoqën komisionerët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kurrë mos i ktheni, po të doni. Zgjedhjet shqiptarët do t’i bëjnë të lira dhe të ndershme. Je i pashpresë, zoti Rama. U bashkuan, e panë që u zvogëluan dhe tani shohin karrigen e amshuar me dylbi. U largohet çdo ditë e më shumë. Absolutisht, po!”, vuri në dukje shefi i mazhorancës.
Nuk e tremb as kërcënimi për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve
“Dje u ka deklaruar të tjerëve se në rast se nuk fitoj zgjedhjet nuk do të njohë rezultatin. Cilin po tremb me atë? Kurrë mos e njih rezultatin.... se nuk çudit asnjeri. Ti je një njeri që përdor çdo pushtet që të kanë besuar qytetarët për të bllokuar këtë vend. Ti ke renditur një seri bllokimesh dhe je unik në Ballkan edhe në Evropë”, deklaroi ai.
As shtyrja e zgjedhjeve nuk do të ndodhë. Sipas kryeministrit Rama po përgatitët për këtë
“I çova fjalë: asnjë sekondë! Po të duash që tani deklaro se nuk do të marrë pjesë, se në mënyrë absolute qoftë edhe një sekondë nuk shtyhen zgjedhjet. Ai është një njeri që do të prishë çdo proces normal të këtij vendi. Por edhe ky vend, kam bindjen më të madhe siç besoj tek Zoti, siç besoj tek Shqipëria, do t’i japë atij atë që meriton më 23 qershor”, nënvizoi Berisha, lidhur me çështjen në fjalë.
Kryeministri shkoi në jug të premten për një sërë inaugurimesh, dhe deklaratat politike i bëri në ceremoninë e fillimit të punimeve në rrugën Picar-Golem. Preu edhe shiritin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare në Përmet dhe të argjinaturave mbrojtëse të lumit Drino, në Gjirokastër.