Berisha takon romët e dëbuar: Ngjarja ishte e shëmtuar
Gjatë një takimi me përfaqësuesit e komunitetit rom, Kryeministri u shpreh se Policia e Shtetit i ka identifikuar autorët dhe se drejtësia do të thotë fjalën e saj
TIRANË- Vetëm pas apelit të ndërkombëtarëve, Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar dëbimin e pak ditëve më parë të disa familjeve rome nga banesat e tyre, si ngjarje të shëmtuar, të papranueshme nga qeveria dhe shoqëria. Kryeministri Berisha priti dje një përfaqësi të komunitetit rom, të shoqëruar nga kryetari i Unionit të Romëve të Shqipërisë "Amaro-Drom" z. Skënder Veliu dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave në mbrojtje të këtij komuniteti. Në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë thuhet se kreu i ekzekutivit e kishte kërkuar këtë takim pasi e kishte cilësuar ngjarjen të shëmtuar, duke u deklaruar përfaqësuesve romë se ai kishte kërkuar kapjen e autorëve. “Vlerësoj shumë përpjekjen tuaj për të ndërtuar jetën që meritoni. Kam kërkuar menjëherë të gjenden autorët e atij akti të qartë racist dhe që nuk mund të pranohet. Policia e Shtetit i ka identifikuar dhe i ka ndalur ata. Jam i bindur se drejtësia do të thotë fjalën e saj”, - u shpreh Berisha. Përfaqësuesi i komunitetit rom në këtë takim, Ardian Nuredini, shprehu shqetësim për ngjarjen e ndodhur, ndërsa tha se në atë zonë romët banonin prej 11 vjetësh dhe asnjëherë nuk kishin pasur probleme të tilla. Ai kërkoi që qeveria të siguronte strehim për këto familje. Nga ana e tij, Berisha ka garantuar se qeveria që ai drejton do të bëjë gjithçka që komuniteti rom të ketë një jetë më të mirë. “I kam dhënë porosi Ministrisë së Punëve Publike dhe Entit Kombëtar të Banesave, që familjet që kanë qenë aty dhe që kanë humbur strehimin e tyre, të sistemohen dhe të strehohen në kushte normale. Procesi i zhdukjes së pasojave të diskriminimit shekullor, që ka vepruar mbi ju, është një proces i domosdoshëm, jo i lehtë, por ju garantoj se kjo qeveri është e vendosur të bëj gjithçka për ta shtyrë përpara këtë proces dhe të krijojë të gjitha lehtësirat e mundshme. Ju garantoj se qeveria është shumë e vendosur të punojë bashkë me ju, për t’ju integruar ju gjithnjë e më shumë, për të normalizuar jetën tuaj, për të kapërcyer pasojat e rënda të një diskriminimi të pamerituar shekullor, që ka rënë mbi komunitetin tuaj, në kundërshti me kontributin dhe lumenjtë e djersës që ju keni derdhur për ketë vend dhe këtë shoqëri. Të gjitha aspektet që ju trajtuat këtu, janë në axhendën e qeverisë, regjistrimi, strehimi, shkollimi, punësimi. Të gjitha këto do të njohin thellime të mëtejshme”, - tha Kryeministri.