Berisha: “Ramiz Alia duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit”
Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha ka sulmuar ashpër ish-presidentin Ramiz Aliu duke kërkuar që ai të përgjigjet për masakrën e Tivarit. Madje kryeministri tha se Kuvendi duhet të mbajë qëndrim për masakrën e Tivarit dhe të dënojë gjenocidin e ushtruar. “Ramiz Alia ishte diktatori i fundit, por, nga ana tjetër, dua të them dhe ndër më të ligjtë e diktaturës. Pse e them ndër më të ligjtë? Jo se ata ishin burra të mirë, por se ky ishte një vrasës tinëzar i tyre. Po, që nga rinia e tij ky ka ngrënë, njëri pas tjetri, me spiunllëqe dhe me padi, inteligjencën shqiptar dhe ndonjë tek-tuk, siç është rasti i Llambi Ziçishtit, që e çoi para skuadrës së pushkatimit për fajin e vetëm se tha: ‘Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë’. Për të mos hyrë pastaj në kapitullin më të zi të këtij xhelati, së është xhelat, gjersa nuk zbërthehet për masakrën e Tivarit. Dhe Parlamenti duhet të qëndrojë për masakrën e Tivarit. Ne jemi vend që kemi në fuqi ligjin kundër gjenocidit. Është përgjigjur për disa krime, duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit. Masakra e Tivarit është krimi më monstruoz i kryer në gadishullin e Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një Katin i dytë dhe është bërë gjithçka me dijeninë dhe miratimin e tij”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Topalli: “Edi Rama nuk është politikan, pasi nuk respekton Kushtetutën”
Kryetarja e Kuvendit thotë se Edi Rama duhet shmangur nga skena politike për aq kohë sa nuk respekton ligjet dhe Kushtetutën. Gjatë një aktiviteti në bashkinë e Kamzës, kryeparlamentarja ka komentuar sjelljen e liderit të selisë rozë lidhur me Kodin Zgjedhor dhe asgjësimin e fletëve të votimit. “Një politikan nuk mund ta quajë kurrë veten politikan në qoftë se ai së pari nuk respekton Kushtetutën. Por, një politikan është për t’u shmangur dhe për të qenë në periferi të shoqërisë shqiptare në qoftë se guxon të shkojë deri në atë moment kur në konferencë shtypi, i pyetur nga një gazetar nëse ishte i gatshëm për kompromis për për zbatuar pikën 6 të nenit 178 të Kodit Elektoral, thotë jo”, - është shprehur Topalli. Kryetarja e Legjislativit foli gjithashtu për vizat, duke e quajtur 2010 vitin e përmbushjes së premtimeve.
Topalli takon anëtaret e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
Kryetarja e Kuvendit priti dje në Kuvend një grup zonjash dhe të rejash nga Aleanca e Gruas së Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mes tyre dhe deputete të Parlamentit të Kosovës. Kryetarja e Kuvendit, nëpërmjet një prezantimi të shkurtër të zhvillimeve të fundit në Shqipëri, theksoi se të gjithë ne jemi krenarë pasi këto vitet e fundit shënuan momentet më të rëndësishme historike për Shqipërinë dhe për të gjithë kombin tonë: Pavarësia e Kosovës, Shqipëria në NATO, ndërtimi i Rrugës së Kombit, heqja e vizave “Shengen” brenda këtij viti, po hapin një erë suksesi dhe prosperiteti për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë. Gratë e Kosovës u shprehën të emocionuara për ndryshimet e vrullshme që vihen re në çdo fushë dhe uruan kryetaren Kuvendit për reformat e thella që po sjellin lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e BE-së. Mysafiret e Kosovës i shprehën mirënjohje të thellë kryetares së Kuvendit në emër dhe të popullit të Kosovës, për lobimin e jashtëzakonshëm që po i bën shtetit të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar. Takimi vijoi me një bashkëbisedim të përzemërt dhe miqësor, ku ndër të tjera, kryetarja e Kuvendit vlerësoi se kur politikani beson në një sistem vlerash dhe e do vendin e tij, suksesi është i garantuar. Më tej zonjat e Kosovës e njohën kryetaren e Kuvendit për zhvillimet në Kosovë, mes të cilave dhe zbatimin e programit për 30% e pjesëmarrjes së grave në forumet partiake dhe institucionet politike të Kosovës.
1 Qershor 2010