E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europarlamentarët: “Pjesëmarrja e Shqipërisë në OKI, në kundërshtim me parimet e BE-së”

Zbardhen pikat e tjera të draft-rezolutës së PE-së për Shqipërinë

Europarlamentarët kanë shprehur shqetësimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Organizatën e Konferencës së vendeve Islamike. Ky shqetësim është shprehur në draft-rezolutën që Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian ka shqyrtuar gjatë mbledhjes së djeshme për Shqipërinë. Në një ndër amendamentet e draft-rezolutës, i hartuar nga europarlamentari gjerman Berry Madlener, shprehet shqetësimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë konferencë. Europarlamentari shkruan se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë konferencë është në kundërshtim me parimet themelore të Bashkimit Europian përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut. “Vëmë në dukje se Shqipëria është anëtare e Organizatës së Konferencës Islamike, një organizatë që kufizon të drejtat e njeriut dhe në këtë mënyrë është në kundërshtim me parimet themelore të BE-së”, - shkruhet në amendamentin e europarlamentarit Madlener.
Ndryshimet kushtetuese
Në këtë draft-rezolutë shikohen me shqetësim ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës së Shqipërisë, veçanërisht në kompetencat e Presidentit të Republikës. Në amendamentin e 40-të europarlamentari Andrew Duff ka shprehur keqardhjen për ndryshimet kushtetuese, për mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe për kompetencat që ai ka për të emëruar anëtarët e institucioneve të ndryshme shtetërore, përfshirë këtu dhe emërimin e titullarëve të rëndësishëm në sistemin gjyqësor. “Shprehim keqardhjen për faktin se ndryshimet e Kushtetutës lidhur me procedurat e zgjedhjeve presidenciale kanë shërbyer për të prishur arkitekturën kushtetuese në lidhje me kompetencat e Presidentit për të emëruar anëtarët e institucioneve të ndryshme shtetërore dhe agjencitë, përfshirë Gjyqësorin”, - shkruan europarlamentari Duff në amendamentin e tij.
Administrata publike
Një tjetër amendament i propozuar nga Eduard Kukan lidhet me administratën publike. Kukan bën thirrje për zbatimin e plotë të ligjit për shërbimin civil në administratën publike dhe tërheq vëmendjen nga rreziku i politizimit të administratës në Shqipëri.
“Bëjmë thirrje për hapa të mëtejshëm për zbatimin e strategjisë për reformën e administratës publike dhe për të siguruar zbatimin e plotë të ligjit të shërbimit civil. Tërheqim vëmendjen për rrezikun e politizimit të administratës nga procedurat e punësimit jotransparente dhe të praktikës së punësimit të personelit të përkohshëm jashtë fushëveprimit të ligjit. U bëjmë thirrje autoriteteve për t’i dhënë fund këtyre praktikave dhe të vënë në vend një sistem të bazuar në merita”, - shkruhet në amendamentin e propozuar nga Kukan. Më tej ai përshëndet projektin e qeverisë për të ngritur Institutin për Administratën Publike.
Dhuna në familje
Në një tjetër amendament të draft-rezolutës, europarlamentari Kukan shpreh shqetësimin për rritjen e dhunës në familje. “Shprehim shqetësimin për ushtrimin e dhunës në familje, si dhe për trafikimin e grave dhe fëmijëve për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar. Mirëpresim reformat ligjore në vitet e fundit për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe trafikimit. Megjithatë, këto nuk janë adekuate dhe se duhet të jenë hapat e mëtejshëm. Bëjmë thirrje për zbatimin e plotë të legjislacionit ekzistues për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve kundër të gjitha formave të dhunës dhe për miratimin e zbatimin e një sistemi të plotë për mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre, duke përfshirë regjistrimin e të gjithë fëmijëve dhe të të sapolindurve, dhënien e ndihmës sociale dhe psikologjike për viktimat, ndërmarrjen e fushatave ndërgjegjësuese në shoqëri, trajnimin adekuat të agjencive të zbatimit të ligjit dhe krijimin e
një rrjeti strehimoresh. I bëjmë thirrje Komisionit për të përforcuar mbështetjen e saj për autoritetet shqiptare në këtë drejtim”, - shkruan europarlamentari. Më tej shprehet shqetësimi për rritjen e konsiderueshme të incidenteve në këtë fushë dhe faktin se nuk është ndjekur një hetim i drejtë nga policia, ose nuk janë zbatuar urdhrat e mbrojtjes të lëshuara nga gjykatat.
Varfëria
Një tjetër amendament i draft-rezolutës, i hartuar nga europarlamentari Helmut Scholz, lidhet me varfërinë në të cilën jeton një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare. “Vihet re një ulje e ndjeshme e varfërisë në vitet e fundit si rezultat i një rritjeje të GDP-së, megjithatë, pavarësisht nga përparimi ekonomik, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë jeton në varfëri dhe janë të nevojshme të bëhen përpjekje të vazhdueshme për të ulur varfërinë, veçanërisht në zonat rurale dhe zonat malore”, - shkruhet në amendament.
Pronat
Një amendament i veçantë i hartuar nga Lobor Ruçek i adresohet çështjes së pronësisë, që vazhdon të mbetet një problem i pazgjidhur në Shqipëri. “Konstatohet se ka pasur pak përparim në konsolidimin e të drejtave të pronësisë. Moszgjidhja e kësaj çështjeje pengon zhvillimin e një tregu funksional toke dhe mban larg investimet e huaja. Bëhet thirrje për të përfunduar sa më parë regjistrimin fillestar të ndërtimeve informale dhe kompensimin e pronarëve duke ndjekur një proces transparent”, - shkruhet në amendamentin e paraqitur në draft-rezolutë.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›