PS-PD larg kompromisit, Berisha: “Greva synoi bllokimin e vizave”
Kryeministri: “Zgjedhjet, vendimtare për liberalizimin e vizave”
Eljona Ballhysa
Duket se dy partitë kryesore në Shqipëri, në vend që të gjejnë një kompromis për krizën politike, nëpërmjet deklaratave publike dhe rritjes së toneve po tregojnë çdo ditë e më shumë se janë larg një kompromisi të mundshëm. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha nuk ofroi asnjë zgjidhje për krizën politike, ndërkohë që negociatat kanë mbetur në vend që pas largimit të delegacionit të ekspertëve të BE-së. Gjatë fjalës së tij Berisha shkoi më tej duke e akuzuar opozitën socialiste se nëpërmjet grevës së urisë synoi të pengonte bllokimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët.
Bllokimi
“Uroj dhe shpresoj që mësime të kenë nxjerrë edhe nga ato grupe apo individë që bënë çdo gjë për të bllokuar këtë proces, mobilizuan të gjitha bateritë e tyre të propagandës që kontrollojnë, se kjo nuk do të ndodhë. I njëjti person që do t’u deklaronte shqiptarëve ditën që do të merrnin ftesën për anëtarësimin në NATO, se nuk do t’i jepet Shqipërisë, i njëjti person u deklaroi shqiptarëve se vizat nuk do t’u jepen”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare duke iu referuar opozitës. Ai tha se qëllimi i grevës ishte pikërisht bllokimi i procesit të liberalizimit të vizave. “Ju e patë reagimin e paprecedent në historinë e këtij vendi të elitës shqiptare ndaj së ashtuquajturës grevë, ndaj kampingut që u ngrit para Kryeministrisë, sepse ishte e qartë se u zgjodh ky moment pikërisht në prag të një vendimi historik. Zoti Rama bëri një letër pasi u mor vendimi”, - është shprehur Berisha, ndërsa e ftoi Ramën të bashkëpunojë për proceset e ardhshme integruese të vendit. “E ftoj zotin Rama të vazhdojë të bashkëpunojë në procesin e integrimit të vendit dhe në plotësimin e të gjitha atyre kërkesave që ka paraqitur Komisioni Europian. Dhe është në interesin e tij më të mirë të realizojë, se ky vend ka një tërësi ligjesh, institucionesh, por, mbi të gjitha, ka një qëndrim demokratik të qytetarëve shqiptarë. Nuk ka arritje më të madhe për ne se ky qëndrim, jua u them unë. Kjo është arritja më e madhe e këtyre 18 viteve”, - është shprehur kreu i qeverisë, ndërsa shtoi se Rama nuk pati mbështetje nga askush për grevën e urisë, përveçse nga Ramiz Alia.
Reformat
Duke iu referuar vendimit për liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha tha se ky vendim erdhi për shkak të reformave që ka ndërmarrë qeveria që ai drejton. “Ky proces erdhi si një proces i merituar, siç do të theksonte vetë komisionerja Mallstrom, e cila vuri theksin në suksesin e padiskutueshëm të reformave në Shqipëri. Ky proces nuk ka qenë i thjeshtë, ka qenë një proces shumë i vështirë. Vetëm 5 vite më parë Shqipëria ngjallte pasiguri, frikë dhe më shumë se kaq. Mediat europiane, analistët kriminalistë, qarkullonin dokumente tronditëse për krimin e organizuar në Shqipëri. Kanë një meritë shumë të madhe të gjithë ata që u angazhuan në një luftë kundër korrupsionit. Në qoftë se nuk do të shembej muri i korrupsionit, vizat do të ishin thjesht një iluzion. Heqja e vizave pas anëtarësimit në NATO është rezultati më i jashtëzakonshëm i reformave që ne kemi ndërmarrë. Reformimi i sistemit të gjendjes civile ishte një nga kushtet më themelore për të arritur këtu ku arritëm. Kontrolli dhe modernizimi i kontrollit të kufijve, ka qenë dhe kjo një nga faktorët bazë që bëri të mundur këtë vendim”, - është shprehur Berisha. Ai theksoi se vendimtare kanë qenë mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 28 qershor. “Vendimtare apo më themelore në këtë proces kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilat ne u treguam vendeve anëtare të BE-së, vendeve anëtare të NATO-s, se ne kemi vullnet të hekurt që të respektojmë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe zhvilluam zgjedhjet të lira dhe të ndershme, zgjedhje në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultati, apo numërim të parregullt. Nuk pati asnjë provë dhe ky është vlerësimi më absolut që mund t’i bëhet një procesi zgjedhor. Këto zgjedhje ishin autostrada e këtij suksesi historik për çdo shqiptar”, - është shprehur Berisha, ndërsa garantoi se qeveria do të përmbushë kushtet shtesë në kohë rekord për të përfituar sa më parë liberalizimin e vizave.
1 Qershor 2010