E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ramizi dhe bllokqenët të mos qeshin, se janë gabim



ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha ashpërson gjuhën ndaj opozitës në ditën e 13-të të grevës së urisë. Nga qyteti i Kamzës ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës që mban emrin e liderit të Dhjetorit “Azem Hajdari” kreu i ekzekutivit akuzoi Partinë Socialiste për bllokimin e rrugëve në të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë ai përfshiu në debatin politik të ditës edhe ish Presidentin Ramiz Alia. “Siç e dini, bulevardi kryesor i kombit prej 13 ditësh është i bllokuar nga një grevë urie. Jam këtu për t’u angazhuar edhe një herë, se do të respektoj çdo të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, se qytetarët e këtij vendi do të kenë të garantuar lirinë e të drejtën e protestës paqësore. Por më duhet t’i them Ramiz Alisë dhe bllokqenëve të tjerë, të mos u qeshë buza, se jeni gabim, jeni gabim rëndë. Prandaj, keni bërë, ç’keni bërë me njëri-tjetrin, keni vrarë dhe eliminuar njëri-tjetrin, ne, demokratët, jemi të përcaktuar të ecim drejt Evropës”, u shpreh kryeministri. Berisha i bëri thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama të ndalë protestuesit e tij për të mos bllokuar rrugët në të gjithë vendin. “Ndërsa zotit Edi Rama i kërkoj këtu, duke i respektuar plotësisht protestën, të mos tentojë të mundojë qytetarët e Shqipërisë, duke u dalë përpara rrugëve. Të puthet tre herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë, sepse ky është rregulli. Rrugët janë të publikut, janë të qytetarëve, janë të atyre që transportojnë, janë të të sëmurëve dhe të të shëndoshëve, të halleve dhe problemeve, të urgjencave dhe askush nuk mund të mendojë se do të mund të ndëshkojë qytetarët shqiptarë, duke u dalë përpara në rrugë”, u shpreh më tej Berisha. Kreu i Qeverisë ishte në Bashkinë e Kamzës, një zonë e evidentuar si bastion i demokratëve, ku mori pjesë në ceremonitë e inaugurimit të tre veprave publike, të rrugës ‘Azem Hajdari’, të sistemit të kanalizimeve dhe rrugën që lidh këtë qytet me Tapizën, investime me vlerë 400 milion lekë. Duke folur për këtë zonë Berisha tha se ka përfunduar rrjeti i shpërndarjes dhe furnizimit me energji prej 20 mijë kilo/volt, një investim prej 10 milion euro si dhe do të bëhet fizibiliteti i një projekti për ujësjellësin dhe kanalizimet.
Mbledhja e KPS
Ndërkohë më herët kryeministri Berisha replikoi indirekt në distancë me disa prej përfaqësuesve të opozitës, të cilët gjatë protestave në bulevard kanë hedhur tezën e zgjedhjeve të parakohshme. Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive u miratua strategjia për vitet 2007- 2013, por sipas kryeministrit në vitin 2012, një vit përpara zgjedhjeve do të miratohet strategjia për vitet 2014- 2017, duke lënë të nënkuptohet se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë përpara vitit 2013. “Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Planifikimit Strategjik do të trajtojmë disa çështje shumë të rëndësishme. Së pari, çështjen e monitorimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim për vitin 2007 - 2013. Atëherë, kur u hartua kjo strategji, ishte mandati i parë dhe ju jeni dëshmitarë për këtë. Shqiptarët vendosën me votën e tyre të lirë që ne e hartuam, ne edhe ta zbatojmë. Dhe nga viti 2012, do të hartohet strategjia 2014-2017 dhe kjo do të ndodhë, “perpetum mobile”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›