Luan Rama: Forcat politike të ulen në dialog
Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri dje apel forcave politike të ulen në dialog për të gjetur një zgjidhje, për krizën politike në vend. Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha se "sot në ditën e 12 të grevës së urisë dhe protestës së Partisë Socialiste, dua të shpreh shqetësimin në emër të LSI-së për të ulur palët në dialogun politik, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje për situatën politike të krijuar në vend, pasi kauza jonë e përbashkët, pavarësisht bindjeve partiake, është Shqipëria Evropiane". Duke iu referuar deklaratës së Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule, Rama u shpreh se "edhe z. Fule foli dje në lidhje me domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike që respekton Kushtetutën, institucionet si dhe gjykatat e vendit". Rama tha se, "sot është koha për të mos vazhduar më tej me retorikë, dhe as me gjuhën e presioneve, por është koha për të gjetur atë zgjidhje që presin të gjithë qytetarët, por që rekomandojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë". Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, shprehu keqardhje për sakrificën që bëjnë deputetë dhe simpatizantë të PS-së, duke e ftuar lidershipin e PS-së, Edi Rama, "të kuptojë domosdoshmërinë e veprimit politik dhe për të parandaluar rrezikimin e mëtejshëm të jetës së grevistëve". Ndërsa zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto kërkoi dje nisjen e dialogut për reformën zgjedhore. "Vlerësoj se ka ardhur koha që opozita të bëjë një reflektim të thellë mbi kursin politik ku është futur duke shpërdoruar edhe sakrificat njerëzore të qytetarëve të thjeshtë. Lidershipi i PS po përpiqet të japë idenë se veprimet e saj kanë mbështetje ndërkombëtare. Ky është një shpërdorim i madh që opozita po bën me kredibilitetin e mbetur", u shpreh Haxhinasto.