Lohan: Rëndësi dialogu politik mes partive të mëdha në vend
Ambasadori i Komisionit evropian në Tiranë, Helmut Lohan shprehu dje rëndësinë e një dialogu mes partive të mëdha për zgjidhjen e situatës politike në vend. Apeli i ambasadori i bë dje gjatë pritjes së organizuar dje me rastin e 60-vjetorit të Bashkimit Evropian. Në vitin 1950, Robert Shuman propozoi një treg të përbashkët për çelikun e qymyrin mes Francës e Gjermanisë, një iniciativë që më pas do të krijonte Bashkimin Evropian, e nisur nga mesazhi i Shumanit, ambasadori Lohan theksoi rëndësinë e zgjidhje së situatës politike. “Robert Shumani flet për arritje konkrete dhe kjo më sjell ndërmend arritjet konkrete që duhet të bëjë Shqipëria, si kusht për integrimin e saj në BE. Robert Shumani flet për eliminimin e konfliktit mes armiqve të vjetër edhe kjo përmban kuptim për zgjidhjen e konflikteve të brendshme të Shqipërisë. Jo më kot, Këshilli i Stabilizim- Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së që u zhvillua dje, theksoi rëndësinë e një dialogu politik konstruktiv ndërmjet aktorëve dhe partive politike më të mëdha në vend”, tha Lohan. Ambasadori mblodhi dje krerët e shtetit në këtë pritje, ambasadorët e huaj në Tiranë. Në takim nuk mungoi edhe lideri i opozitës Edi Rama, por ai u larguar kur po mbaheshin fjalimet e rastit. Në këtë takim morën pjesë personalitetet më të spikatura të vendit, duke filluar nga Kreu i Shtetit Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe Kryeministri Sali Berisha. Kreu i Qeverisë ishte i vetmi që preferoi të flasë për mediat. I pyetur nga mediat mbi paralelizmin e përmendur nga Ambasadori Lohan mbi Gjermaninë e Francën, të cilat rrëzuan armiqësitë, Berisha tha se ai mbetet shqiptar por që shprehu preferencë për Presidentin francez De Gol. “Në çdo variant që të më ktheni, unë mbetem shqiptar. Kam respekt për kombet e tjera, por ka thënë njëherë De Gol se, kryqi im është francez”, tha Berisha. Ai vlerësoi këtë ditë, duke thënë se “përbën një motiv të fuqishëm pune, përkushtimi, dedikimi në rrugën e reformave që shndërrojnë çdo ditë e më shumë në realitet idealin evropian të shqiptarëve”.