Ish-presidentët, apel Berishës e Ramës
Erald Kapri
Ish krerët e lartë të shtetit i bëjnë thirrje dy liderëve kryesorë që të zgjidhin sa më parë situatën politike. Ish presidentët e vendit, Rexhep Meidani e Alfred Moisiu, përmes një deklarate të përbashkët për mediat, kërkuan nga Kryeministri Sali Berisha e kreu i opozitës, Edi Rama, të nisin një dialog politik për gjetjen e një zgjidhje politike. Sipas tyre, zgjidhja duhet të jetë afatgjatë, që duhet të garantojë transparencë sipas Kushtetutës. "Apelojmë zotin Sali Berisha, Kryeministër dhe kryetar i PD-së dhe zotin Edi Rama, kryetar i PS-së, që së bashku dhe sa më shpejt të heqin dorë nga aksionet politike të njëanshme dhe të pranojnë hyrjen në dialog politik të pakushtëzuar. Dialogu dhe vetëm dialogu politik, i bazuar në normat kushtetuese të respektit të institucioneve dhe detyrimit të patjetërsueshëm për transparencë publike, është rruga e vetme dhe e denjë për të gjetur një zgjidhje politike të shpejtë, të pranuar, përfshirëse dhe afatgjatë", thuhet në deklaratën e ish presidentëve. Më tej, ata i bëjnë një thirrje direkt dy liderëve politikë, që të shmangin veprimet provokuese pasi mund të preken interesat e vendit. "Apelojmë të dy aktorët politikë dhe forcat politike mbështetëse të tyre, që të përdorin të gjitha energjitë e tyre në dobi të zgjidhjes politike, të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, deklarimet e veprimet provokuese apo denigruese dhe të vendosin interesat e Shqipërisë mbi interesat politike të momentit", apeluan Meidani e Moisiu.
Në deklaratën e tyre, ish krerët e lartë të shtetit shprehen se asnjë individ, parti politike apo qoftë edhe projekt politik, nuk mund të nëpërkëmbë interesat madhorë të vendit. Sipas tyre, Shqipëria tashmë është një vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për në Bashkimin Evropian, çka kërkohet një sjellje sa më demokratike e qytetare. "Një shtet demokratik, një vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për në BE ka detyrimin dhe përgjegjësinë të sillet në mënyrë sa më demokratike e qytetare, të përgjegjshme dhe institucionale. Asnjë individ, parti, pushtet apo projekt politik, nuk ka të drejtë dhe nuk mundet të lejohet të nëpërkëmbë këtë interes madhor kombëtar", shprehen ish presidentët. Në deklaratën e tyre për mediat, ish krerët e shtetit shprehen se përshkallëzimi i kësaj situate me protesta e kundër protesta, refuzimi i institucioneve, mund të çojë vendin në një situatë alarmante. "Duke paralajmëruar se përshkallëzimi i kësaj gjendjeje nga këmbëngulja e palëve për protesta apo kundërprotesta, refuzim të institucioneve apo refuzim të detyrimit kushtetues për mirëqeverisjen e vendit, mund të çojë në një situatë akoma më alarmante", kanë deklaruar ish presidentët. Më tej, ata deklaruan se nuk pajtohen me fushatat e fundit ku shoqëria civile shfaqet e ndarë në lidhje me grevën e urisë. Sipas ish presidentëve, nuk mund të tolerohet përdorimi i shoqërisë civile. "Duke shprehur pakënaqësinë ndaj një fushate përdorimi, keqpërdorimi, ndarjeje dhe etiketimi midis dhe ndaj grupeve të caktuara të shoqërisë, shoqërisë civile, medias dhe aktorëve të tjerë civilë", thuhet në deklaratë. Ata shprehen më tej se një thellim i krizës nuk do të ishte në dobi të asnjë qytetari, apo partie politike. Sipas tyre, edhe qytetarët e përfshirë në parti politike nuk kanë interes që situata të degradojë. Ish krerët e shtetit shprehen se kjo situatë pengon në ecjen drejt integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian. "Duke vlerësuar se çdo zgjatje apo thellim i krizës nuk është në interesin madhor të vendit, të aspiratave tona shtetërore dhe publike dhe as në dobi të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe atyre të angazhuar në parti politike. Sidomos duke ritheksuar rëndësinë e madhe që ka për vendin tonë stabiliteti demokratik dhe ecja pa vonesë drejt procesit të integrimit evropian", shprehen ish presidentët, Meidani e Moisiu.