E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si shumë po i lodh njerëzit shoku Rama!

Saimir Kumbaro*

Gabuat në zgjedhjen tuaj si politikan. Nuk je fare politikan shoku Rama. Vetë e ke deklaruar. Të bësh politikë duhet të dish, të njohësh dhe të kesh kulturë të madhe. Ti nuk i ke këto cilësi. Je karizmatik, flet bukur dhe i tërheq e ndez turmat, por kjo nuk mjafton. Mbi të gjitha duhet të jesh i mençur. Nuk mjafton të jesh i zgjuar. Nuk po marrim vesh se ku do dalësh me armën që ke zgjedhur! Ku do ta shpiesh atë pjesë të popullit që ke marrë përsipër të mbrosh. Më vjen keq kur shoh përqark teje, njerëz që u ngjajnë dallkaukëve që i rrotullon era sa majtas djathtas. Ata edhe ty një ditë do të kthejnë kurrizin. Janë tashmë të provuar. Ata nuk kanë ideale, pra bëj kujdes nga babëzia për karrige e disa politikanëve që të vijnë rrotull. Si një prej firmëtarëve të apelit që një grup artistësh, mjekësh dhe profesorësh shqiptarë ju bënë për ndërprerjen e grevës së urisë, organizuar prej jush, dhe si një qytetar që dëgjoj fyerjet më banale nëpërmjet kanaleve televizive, e ndjej sërish për detyrë t’ju drejtohem.
Në vitin 2000, ju u zgjodhët Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Komuniteti i artistëve dhe shkrimtarëve shpresoi se do shndërroheshit në një promotor në dobi të jetës kulturore e artistike të kryeqytetit. Kam besuar se do ta kthenit Tiranën në një prej qendrave më të rëndësishme të promocionit kulturor rajonal e më gjerë. Kam besuar se do i jepnit jetë iniciativave private artistike, duke vepruar si gjithë kolegët tuaj perëndimorë, që i ofrojnë artistëve hapësira publike dhe mjete për të realizuar krijime bashkëkohore. Kam besuar se do përpiqeshit ta shtrinit më tej emancipimin e popullit. Mirëpo, ajo çfarë ti ke bërë në fushën e kulturës dhe lëvizjes artistike rezulton të jetë një masakër e vërtetë. Ti jo vetëm që nuk ndërtove institucione të reja, siç mund të ishin Galeria dhe Muzeu i Bashkisë, Teatri për të rinjtë, jo vetëm që nuk përkrahe iniciativat për organizime e aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, por iu sule atyre pak institucioneve artistike dhe i shkatërrove. Kujtoj inaugurimin e kinema “Republika”, që ti e quajte “Milenium 1”. Ku është? E rrafshove nga faqja e dheut. Rrafshove kinema “17 Nëntorin”, kinema “Ali Demin”, kinema në Kombinat, Laprakë, kinema “Partizanin”, dhe së fundi i dhe dërrmën kinema “Dajtit”. Nga të buron gjithë kjo urrejtje për artin shqiptar? Ti shkatërrove Estradën e Tiranës. Deshe të shkatërroje edhe Teatrin Kombëtar, por nuk të eci. Mban të mbyllur kinema “Agimin”!
Përse gjithë ky vrer për krijimtarinë kombëtare?
Më kujtohet mirë një mbledhje në Teatrin Kombëtar, kur talle dhe përbuze artisten e popullit Violeta Manushi. Ti nuk ke respekt për asnjë lloj zhanri dhe artisti që krijon art kombëtar. Ti e përbuz krijimtarinë e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Ti shan dhe etiketon me gjithfarë epitetesh artistët e krijuesit që nuk janë pro teje. I quan ahengxhinj e dajrexhinj, kalemxhinj e bojaxhinj. Epiteti i fundit do t’ju përshtatej më së miri, se e ke treguar veten që në këtë fushë s’ta kalon njeri. Mbete një piktor amballazhesh. Kryeveprat tuaja janë pallati me shigjeta në unazën e Tiranës dhe fasadat pa shije të godinave socrealiste. “Bunkeri” yt në Die të Francës i mbuluar me rrecka, të cilin ti e deklarove para publikut francez si një copë Shqipëri. Një tjetër kryevepër ishin çarçafët me të cilët mbulove Bashkinë e Tiranës. E mbulove me slogane si ato që ke rreshtuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ty të përkrahin ata artistë që financon me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ke mbjellë urrejtjen dhe përçarjen mes njerëzve. Mos i nxit njerëzit të vrasin njëri-tjetrin o njeri. Një fjalë e urtë thotë: “Kur lind një konflikt shfaqet një kategori njerëzish që nxit”. Këta njerëz janë pjesa më e keqe e shoqërisë. Ti po nxit.
O Kryetar i Bashkisë së Tiranës! Ti që “mbron” interesat e banorëve të kryeqytetit, ti që administron çdo pëllëmbë tokë në Tiranë. Dil e shih si e ke katandisur kryeqytetin. Të zë tmerri kur mendon të dalësh nga shtëpia me makinë, gjithandej stres, zhurmë e pluhur. E vetmja gjë e mirë që ke bërë ka qenë prishja e kafeneve dhe kioskave. Të fortët që ti i ke shumë frikë, i kompensove me toka në zona parqesh. Ti je frikacak dhe oportunist! Të njoh mirë dhe e di që nuk je trim, përkundrazi. Shkrimet e tua nuk janë gjë tjetër veç se “fletë\rrufe të stilit të revolucionit kulturor kinez”. Prano një këshillë si koleg: Mos ofendo ata që dikur të kanë mbështetur, të kanë dalë krah dhe të kanë votuar. E di dhe e kuptoj që je i ngarkuar emocionalisht, e kuptoj që barra që ke marrë mbi supe është e rëndë, por harron se gjunjët e tu nuk e mbajnë dot këtë ngarkesë. Nuk merret pushteti me dhunë o njeri. Në një emision të Adi Krastës dëgjova kryetarin e G 99. E.Veliaj na quajti krunde. Ata pak artistë që të mbështesin i quajti miell. Sa qesharak mu duk mullixhiu yt, ky pioner i Ramiz Alisë. Na quajti krunde se nuk jemi dakord me rrugën tënde. Ky djalë që të imiton dhe që ka goxha rrugë përpara, është ende i njomë të fyejë me banalitete ordinere armatën e artistëve. është ende i vogël të cilësojë si krunde zonjat Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Irini Qiriako, Lili Cingu, Jera Kruja, Edi Luarasi, zotërinjtë Agron Aliaj, Mirush Kabashi, Rexhep çeliku, Edmond Zhulali, Zhani Ciko, Mihal Luarasi, Halim Kosova, Dhori Kule, Shezai Rokaj, Marenglen Spiro etj! Asistenti yt, E. Veliaj është ende i vogël të përbuzë e përgojojë në emisionet televizive emra të tillë që janë nderi i kombit. Tjetër gjë është zoti Dokle. Ai si një politikan i vërtetë dhe njeri me kulturë, i vlerësoi artistët që ti përbuze. U mundua t’u verë në vend nderin e përkëmbur nga ju. Namik Dokle mori një dimension tjetër para nesh. Mëso nga ata që dinë më shumë se ty në politikë. Zoti Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe i socialistëve! Mos nxit urrejtje mes nesh. Mos përça artistët, mjekët e profesorët se gabon rëndë.
Si një prej firmëtarëve të asaj letre që aq shumë të ka acaruar, të pyes: Përse nxit me grevën tënde? Përse bëhesh pengesë e njerëzve që integrimi me botën duhet t’i bashkojë. Nxitësit e së keqes janë kategoria më negative e shoqërisë. Përse duhet të na ngresh një çadër-pritë dhe të bllokosh rrugët? Po ndalon qarkullimin e njerëzve dhe ky veprim dënohet nga ligji. Edhe në Paris ka greva e demonstrata, por askush nuk guxon të bllokojë sheshin e Bastijës ose Champ Elisene. Njerëzit protestojnë, edhe me dele e lopë, por janë në lëvizje dhe jo më shumë se tre-katër orë në ditë. Ti organizon anarkinë se ky tipar është pjesë e karakterit tënd. Për ty dhe ata që kanë hyrë në grevë, kjo protestë është e drejtë, por ajo shkel parimin bazë të demokracisë. Greva jote në mes të Tiranës shkel të drejtat e anës tjetër që nuk është dakord me ty. Do qe e udhës të zgjidhje një tjetër vend, që mos pengonte qarkullimin e njerëzve. Rruga është e udhëtarit dhe e Zotit dhe jo e pasuesve të tu. Përse kërkon të na kthesh në shekullin e kaluar, kur nxitësit e 97-ës dogjën e vranë mbi 4500 njerëz? Me nxitjen e tyre dhe etjen për pushtet shkatërruan shtetin e brishtë, që nuk kish më shumë se katër-pesë vjet jetë. Disa nga ata që sot të rrethojnë, nxitën njerëzit dhe dogjën vendin, duke penguar ecjen e shqiptarëve drejt të ardhmes. Fjala luftë që ti e ke qejf ta përdorësh shpesh, ngjit shumë në masën e njerëzve të paditur. Në 1997 u sajua një luftë absurde, një luftë ku shqiptarët të nxitur nga partia që t’i përfaqëson dhe aleatët tuaj, që sot mbajnë fjalime patetike, nuk bëjnë gjë tjetër veç nxitjes drejt së keqes. Hidh sytë pas dhe kujto se ç’gjëmë ra mbi popullin e pafajshëm në 1997. Fjalori fyes që ti përdor kundër atyre që nuk mbajnë anën tënde, nuk i shërben askujt. Fjalori yt nxit urrejtjen. Gjej mor burrë një mënyrë dhe zgjidhni këtë nyje gordianë që ke gatuar vetë. Nëse vërtetë nuk je i zoti, ik nga skena politike, ik dhe merru me tjetër gjë. Armata e artistëve është e fuqishme dhe bëj kujdes kur sulesh kundër tyre. E më në fund, nëse vërtetë nuk rrije dot pa “pushtuar” bulevardin e shqiptarëve, përse duhej bërë pikërisht ditën kur Evropa me firmat 12 Ministrave të Jashtëm nënshkroi vullnetin e saj për të na hapur derën? Pra edhe njëherë, ndale ngujimin ku ke futur burra, gra e nëna të nderuara dhe ulu e dialogo me kundërshtarët e tu, për të mirën e shqiptarëve. Bëj një gjest qytetarie, se do dalësh i fituar. Flake fjalorin e rrugës, flake atë fjalor që nuk të nderon. Fjala vret si plumbi o njeri dhe ti këtë e di. “Pushteti fitohet me grykën e pushkës”, ka thënë Lenini. Por dije se dhuna pjell diktaturë dhe diktatura pjell pushtet të pakufishëm, diktatura qëndron mbi ligjin. Jep shembull i pari e mos shkel ligjet e vendit, që shumë nga ata që kanë hyrë në grevë i kanë votuar. Mos dhuno ata gra e burra të mbyllur në çadrën e vdekjes, se ashtu të pëlqen ty. Mos dhuno njerëz shoku Rama. E drejta e jetës është nga më themeloret e të drejtave të njeriut. Ti jep urdhra që nën emrin e kauzës, njerëzit të vdesin ndërsa vetë me kollare dhe kostum firmato bën xhiro para kamerave televizive si në një sfilatë mode. Me një sy të përlotur mes atyre që vuajnë dhe nuk kanë fuqi të rrinë në këmbë i përkëdhel dhe u lëmon flokët. I puth e përqafon për të demonstruar dashurinë e pakufishme që lideri ka ndaj njerëzve të sakrificës. Nisesh deri në Paris të rekrutosh të tjerë artistë. Po përdor çdo mjet që të zgjatësh agoninë tënde në politikë. Unë jam regjisor dhe i dalloj kollaj pozat dhe gjestet teatrale që mirë i ke përvetësuar. Je aktor i mirë, herë komik dhe herë dramatik. Do ta jepja me qejf rolin e “heroit’ të realizmit socialist. Ja kalon Dedës, Nebi Surelit, Ademit të digës, Koçit të zonjës nga qyteti dhe gjithë heronjve të socrealizmit, që ne kemi krijuar në filmat tanë për 40 vjet. Të premtoj se do ta ofroj një rol heroin e filmin e ardhshëm. Shoku Edi Rama, koha e dhunës ka mbaruar. Për të shkatërruar duhet vetëm një cilësi, përdorimi i forcës. Je orator i madh o Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe i socialistëve, dhe kjo është dhunti natyrore, por fjalët nuk i zgjedh mirë. Në fjalimet që mban dëgjoj që përdor shpesh fjalët: “betejë”, “luftë”, “mbi trupat tanë do mbrojmë..””, “shkëmb graniti” “kauzë” etj, si këto që na kujtojnë pushtetin e zi që shporrëm njëherë e mirë në vitin 1992. Sloganet e zjarrta që ti ke zgjedhur çojnë peshë vetëm ish-sigurimsat që kanë filluar të mblidhen edhe më shumë rreth teje. Fjalori yt nuk na frymëzon, përkundrazi na revolton. Nuk do të lejojmë të përpiqesh që të përdorësh dhe manipulosh njerëzit hallexhinj. Koha e dhunës ka vdekur. Ta zëmë se e more pushtetin! Pastaj? Kurrë nuk ke dhënë një alternativë, kurrë s’ke paraqitur një platformë në shërbim të njerëzve. Nuk dimë se si do ta drejtosh këtë shtet apo do ta bësh bordell, siç ke bërë Tiranën? Aftësinë për organizim shoqatash ta njoh mirë. Por vetëm kaq. Je i limituar. është vështirë të drejtosh një shtet, aq më tepër që nuk je politikan siç ke deklaruar edhe vetë. E vërtetë është që je orator i madh.
Më kujtohet një prej mitingjeve në sheshin para stadiumit “Qemal Stafa”, ku shave dhe akuzove pushtetin komunist: Të kujtoj që ata që të rrethojnë sot, kanë qenë ministra të Ramiz Alisë. Nuk u lë gjë pa thënë e pa sharë. I shave dhe përbuze para 40 mijë mbështetësve që të duartrokitën e brohoritën me shpirt e zemër. Ngrite zërin si një aktor tragjedie dhe the: “Enver Hoxha na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë dhe na nxiu si shqiptarë.” Të kujtohet? “Na nxiu si shqiptarë”. Pushteti që ti lakmon nuk merret me revolucion, nuk merret me dhunë. Nuk e kuptoj përse Qeveria të toleron ty o njeri që shkel ligjet e vendit. Mos përfito nga butësia dhe zbatimi i ligjit që demokracia nganjëherë e ka. Shko në Paris dhe blloko Champ Elisene. Të zënë për zverku dhe të sikterisin dyzet pash nën dhe. Mos përfito e provoko demokracinë infantile shqiptare. Si nuk e kupton që çdo ditë është në disfavorin tënd. Zjarri që kërkon të ndezësh do të përpijë e përcëllojë ty vetë. Përse je bërë kaq agresiv o Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe socialistëve? Ku u zhduk piktori i guximshëm Edi Rama? Ku humbi njeriu i të famshmëve “Refleksione”. Mos na fyej o njeri, mos shaj se ky fjalor nuk të nderon. Mos ofendo njerëzit me fjalë të pamatura. Kthjellohu e ftillohu, thirri arsyes dhe flake të kuqen bolshevike që të është ngjitur si tatuazh. Dikur bërtisje kundër diktaturës. çudi! Ku u tret e humbi antikonformisti i dikurshëm! E dalloj qartë armiqësinë ndaj liderit të maxhorancës Sali Berisha. Të është kthyer në obsesion emri i tij. është zgjedhja jote. Urrejtja që ke ndaj tij nuk duhet t’i ngjaj benzinës që ndez zjarrin, nuk duhet ndërzejë njerëzit. Mos i përçaj shqiptarët se jemi pak për të qenë armiq të njëri-tjetrit. Koha e dhunës ka mbaruar, ajo i përket të shkuarës dhe ti kot përpiqesh të kthesh pas rrotën e historisë. Nxirri njerëzit nga ngujimi dhe dil njëherë fshatrave të shohësh se sa kanë ndryshuar gjërat. Dil njëherë dhe shih se s’ka më shtëpi qerpiçi e rrugë me baltë, por vila e rrugë të asfaltuara që zbukurojnë e lehtësojnë jetesën e shqiptarëve.. Dil njëherë dhe do bindesh se sa ka ndryshuar jeta e popullit. Ka edhe njerëz me lista, ka edhe të varfër, por janë një kategori që nuk e do punën, se fushat rrinë djerr e nuk i punon njeri. Vetëm tek ne quhet fjalë e urtë “Kam gjetur një punë, pallë ariu”. Këta janë ata që hanë me lista. Dil njëherë dhe shih sa ka ndryshuar, Divjaka, Postriba, Preza e Petrela, Farka dhe Zara, Pojani e Tropoja. Dil o kryetar i socialistëve, që të bindesh se sa është rritur mirëqenia e këtij populli. Shqiptarët sot ndjehen më shumë se kurrë evropianë, e mbi të gjitha njerëz të lirë! Edhe njëherë të bëj thirrje: Mos i nxit njerëzit dhe mos i pengo drejt vëllazërimit dhe së ardhmes.
*Regjisor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›