Berisha: Raportet ndërkombëtare, rritja ekonomike nga kërkesa e brendshme
Pavarësisht ngjarjeve të 21 janarit, performanca e ekonomisë shqiptare është në rritje. Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë, duke iu referuar raporteve të ndryshme ndërkombëtare në lidhje me ekonominë është shprehur se statistikat pozitive të tyre do të jenë si shtylla të inkurajimit të investitorëve shqiptarë e të huaj, për t’i besuar Shqipërisë. “Në raportin e UNKTAD-it, i cili i referohet të dhënave të vitit 2009, periudhë nga e cila ne kemi ecur me shpejtësi të madhe më lart, Shqipëria, në listën e 141 vendeve të konsideruara për vlerësim për treguesin e performancës së investimeve të huaja direkte, në vitin 2006 renditej në pozicionin e 80-të, ndërsa në vitin 2009 renditet e 25-ta. Një turravrap ky i shkëlqyer dhe i vërtetë. Pra, në raport me treguesit e performancës së investimeve të huaja, Shqipëria lë mbrapa 116 vende. Në rast se i referohemi shifrave, nëse në vitin 2006, investimet e huaja ishin 258 milionë euro, në vitin 2009, këto investime arritën mbi 700 milion euro“, - tha Kryeministri Berisha. Duke iu referuar të njëjtit raport, Berisha ka hedhur vështrimin mbi sistemin fiskal, që sipas tij është më i favorshmi që mund të ekzistojë në ndonjë vend. Ai argumentoi se politika e taksave të ulëta ka qenë faktor ndër më kryesorët. Duke cituar një raport tjetër, atë të Departamentit të Ekonomisë dhe Financave i Komisionit Europian për të gjitha vendet e rajonit, Berisha përmendi se tremujorin e tretë të vitit 2010, në Shqipëri rritja e ekonomike ishte rreth 4.9 për qind dhe Shqipëria vlerësohet si vendi që u prek apo ndjeu më pak krizën ekonomike financiare europiane e botërore. Deficitet buxhetore, theksohet në raport, pritet të ulen në Shqipëri.