Tregtia e mallrave të akcizës, rriten elementet e sigurisë
Çdo mall akcizë, për të cilin kërkohet pajisja me pulla akcize dhe kod sigurie, kur ofrohet për shitje, pa qenë i pajisur me këto elemente konfiskohet dhe personi që zotëron mallrat e akcizës dënohet, sipas një vendimi që miratoi dje qeveria që synon pajisjen me pulla të reja fiskale të mallrave të akcizës. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, kur mallrat e akcizës, për të cilat kërkohet pajisja me pullë ose kod sigurie, gjenden pa pulla dhe kode sigurie, pavarësisht nga fakti se, për to është paguar akciza ose jo, konfiskohen dhe pronari i mjedisit ose i mjediseve në të cilën mbahen këto mallra akcize të pa pajisura me pulla, dënohet me një gjobë. Vlera e gjobës që është më e madhe se: dyfishi i vlerës së tregut (që përcaktohet nga organi tatimor) të mallrave të akcizës të gjetura pa pulla, niveli e shkallës standarde, me mallrat e konfiskuara procedohet nga organet tatimore, duke i shkatërruar ose duke i administruar, sipas legjislacionit në fuqi. Pagesa e pullave fiskale si dhe shpenzimet përkatëse, për këto ndryshime që u miratuan dje në ligj, duhet të parapaguhen. Pagesa e akcizës do të kryhet veçmas nga prodhuesit dhe importuesit. Detyrimet që rrjedhin nga TVSH-ja apo taksa të tjera që janë të pagueshme lidhur me pullat fiskale, të prodhuara dhe të shpërndara nga koncesioneri, do të mbulohen nga prodhuesit apo importuesit që blejnë pullat fiskale. Ndërkaq, përgatitja dhe aplikimi i pullave fiskale dhe kërkesat e procedurat e tjera të zbatueshme përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Këshilli i Ministrave vendosi dje për shtimin e një elementi të ri sigurie për mallrat e akcizës, e më konkretisht për produktet e birrës. Kod i sigurisë do të thotë një shenjë direkte që do të aplikohet ekskluzivisht për produktet e birrës që prodhohen në Shqipëri, nga prodhuesit në shkallë të madhe, që prodhojnë 500.000 ose më shumë produkte birrë në vit, duke përdorur linjat e prodhimit për të cilat përpunimi i plotë, nga mbushja tek paketimi, është i automatizuar dhe të cilat prodhojnë 4.000 ose më shumë produkte birrë në orë. Kodi i sigurisë trajtohet si dokument me vlerë dhe është monopol shteti. Përgatitja dhe vendosja e kodit të sigurisë, kërkesa të tjera dhe procedurat e zbatueshme përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Në rastin kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve udhëzon koncensionerin të dërgojë pullat fiskale drejtpërdrejt te furnizuesi i huaj i mallrave, që janë subjekt i akcizës, në një adresë të treguar nga importuesi dhe të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, importuesit do të jenë përgjegjës për transportin, gjurmimin e ngarkesës dhe dorëzimin e duhur të pullave fiskale te furnitori i huaj, për zbatimin e duhur të pullave fiskale mbi produktet, si dhe shpenzimet që lidhen me ngarkesën (duke përfshirë, por jo vetëm, shpenzimet e lidhura me trajtimin, taksat e importit, detyrimet, sigurinë dhe sigurimet etj).