E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët, skemë e re pagese për 419 qendra

SHKRUAN: Jonida Tashi 10-02-2011 10:56

Lidhen kontratat e reja me 419 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, ku është bërë një rivlerësim i mënyrës së tyre të financimit, duke synuar drejt kryerjes së pagesave për shërbim. Në qendrat shëndetësore, tashmë do të fillojë të zbatohet mënyra e re e financimit, e cila do të bëhet edhe në bazë të disa indikatorëve, si numri i vizitave të kategorive të ndryshme të pacientëve, etj. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave për ndryshimin e pagesës për qendrat shëndetësore, Këshilli Administrativ i ISKSH-së miratoi kontratat e reja. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana shpjegoi dje në një konferencë për shtyp mënyrën e re të pagesës për qendrat shëndetësore. Sipas saj, ka një ndryshim të financimit nga ai mëparshmi, që është bërë që nga viti 2007 e këtej, sepse dyfishon financimin për bonus, i cili ka qenë në masën 5% për disa indikatorë cilësie, të lidhur ngushtësisht me performancën e qendrave shëndetësore, ndërsa tani bonusi ka shkuar në 10%. Ndërkohë, drejtuesja e ISKSH-së Elvana Hana, premtoi se do të ketë këtë vit, një rritje tjetër të pagave të mjekëve të familjes. Ajo ka deklaruar se pagat do të vazhdojnë të rriten edhe këtë vit në një përqindje të ndjeshme, sidomos për mjekun e familjes. Sipas parashikimeve të bazuara në buxhetin e ISKSH-së për vitin 2011, që kap shifrën e 27.4 miliardë lekë, pagat e mjekëve të familjes do të rriten mesatarisht 4-5 %. Lidhur me skemën e re të pagesës së qendrave shëndetësore, Hana është shprehur: “Gjatë këtyre viteve të reformës, si pagesa për aktivitet, ashtu edhe bonusi, janë përdorur si stimuj për të nxitur angazhimin e qendrave shëndetësore për rritjen e aktivitetit dhe cilësisë së shërbimeve. Indikatorët për llogaritjen e aktivitetit dhe për bonusin janë rishikuar në drejtim të nxitjes së veprimtarisë cilësore të qendrave, si pasojë kjo edhe e përmirësimit të sistemit të informacionit, i cili ka bërë të mundur identifikimin e këtyre treguesve”. Më konkretisht, mënyra e re e financimit të qendrave shëndetësore do te jetë: pagesa fikse mujore - 80 % e buxhetit të qendrës shëndetësore; pagesa mujore bazuar në aktivitetin (numri i vizitave) - 10% e buxhetit të qendrës shëndetësore; pagesa bonus tremujore - nga 5% bëhet 10 % e buxhetit të qendrës shëndetësore dhe financohet bazuar në realizimin e treguesve të cilësisë së shërbimit të përcaktuara në kontratë. Sipas ISKSH-së, vlen për t’u përmendur që të gjithë indikatorët për matjen e bonusit do të llogariten në mënyrë elektronike nga sistemi i informacionit shëndetësor. Kjo rritje e pagesës për bonus do të bëjë që personeli shëndetësor të jetë më i motivuar për realizimin e treguesve në nivel më të lartë, dhe si rrjedhojë përfitimin e buxhetit përkatës, e në këtë mënyrë ofrimin e një shërbim sa më cilësor ndaj komunitetit në kujdesin shëndetësor parësor. Ndryshimet e tjera, në kontratat e lidhura me parësorin, në mënyrë të përmbledhur, kanë të bëjnë kryesisht me forcimin e llogaridhënies në mënyrë të dyanshme, zbatimin sa më mirë të sistemit aktual të shërbimeve shëndetësore dhe financimit të tyre, me synim final ofrimin e shërbimeve shëndetësore në kujdesin parësor, duke mundësuar një akses më të plotë qytetarëve ndaj këtyre shërbimeve dhe krijimin e qëndrueshmërisë së financimit të këtyre shërbimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›