Janar, eksportet rriten 123 %
Eksportet shqiptare pësojnë rritjen më të madhe të shënuar ndonjëherë, në krahasim me të njëjtën periudhë. Janari i 2011 është raportuar nga doganat shqiptare si muaji rekord në shkëmbimet tregtare, veçanërisht në eksporte. Sipas statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, produktet shqiptare kanë shënuar një rritje prej 123 për qind, në krahasim me janarin e vitit 2010. Ndër eksportet me influencë, që kanë ndikuar në ekonominë e vendit, për muajin janar ka qenë industria Fasone. Në janar 2011, sasia e eksporteve shqiptare është 230 mijë ton, nga 102.8 mijë ton të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 127.2 mijë ton, ose 123.7 % më shumë. Vlera e rieksporteve, ku bëjnë pjesë edhe industria fasone, gjatë muajit janar të vitit 2011 është realizuar në vlerën prej 6.9 mld lekë, me një rritje prej 0.9 miliardë lekë, ose 14.5 % më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, ku u realizua një vlerë prej 6 mld lekë eksporte. Ekspertët mendojnë se industria fasone luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë vendase, duke iu referuar të ardhurave direkte, gjithashtu edhe punësimit. Në këtë sektor të industrisë, aktualisht numërohen si të punësuar rreth 100 mijë persona. Ndërkaq, sipas përfaqësuesve të kësaj industrie, rritja e të ardhurave nga ky sektor shpjegohet me besueshmërinë që kanë kompanitë e huaja në ekonominë shqiptare. Situata në tregtinë e jashtme ka pësuar përmirësim të ndjeshëm dy vitet e fundit, pasi edhe në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregtia e jashtme ka shënuar rritje. Gjatë muajit janar të 2010-ës u eksportuan 9,6 miliardë lekë mallra, me ulje 3 për qind, në krahasim me dhjetor 2009 dhe rritje me 44 për qind, në krahasim me janar 2009. Gjatë asaj periudhe, u importuan 30 miliardë lekë mallra, me ulje 30.3 për qind, në krahasim me dhjetor 2009 dhe rritje 8.1 për qind, në krahasim me janar 2009.