Berisha: Raporti pozitiv, funksionoi ligji, s`ndryshojmë Kushtetutën

Pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet lokale të 8 majit, kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp, theksoi se ky raport është objektiv, dhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, raporti me një kthejellësi të kristalë vlerëson zgjedhjet vendore të 8 majit, si zgjedhje kompetitive, transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm.
“Raporti që në hyrje thekson se funksionoi sistemi i garancive të integritetit, të procesit të votimit. Ekipi i ODIHR shpreh në një letër drejtuar qeverisë shqiptare, vullnetin e mirë për t`u angazhuar në ndërmarrjen e reformës zgjedhore, në mënyrë që, ndonëse thekson se sistemi zgjedhor jep mundësi për zgjedhje të standarteve, sërish ka nevojë për përmirësime. Rekomandimi i parë mbetet i vitit 2009. Vullneti i forcave politike për të zbatuar me rigorozitet, kodin zgjedhor dhe për t`u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur tek procesi i numërimit, kreu i qeverisë nënvizoi se raporti i OSBE/ODIHR, thekson se numërimi ishte pozitiv ndaj dhe shprehet se zgjedhjet ishin kompetitive, transparente.