Forcat elitë të policisë shqiptare, pa jelekë antiplumb
Veç armatimit, që përbën një faktor kyç për forcat speciale, mjetet mbrojtëse lënë për të dëshiruar, duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivit të RENEA-s. Deri më sot, që nga krijimi i këtij reparti në vitin 1991, janë vrarë vetëm tre oficerë specialë, por duket se fati i ka mbrojtur më shumë se gjithçka tjetër. Nga një prognozë e njësisë llogaritet përafërsisht se, nga pesë arrestime të autorëve të ndryshëm të ngjarjeve, katër kanë qenë persona të armatosur. Ndërkohë, ngarkesa mesatare e vështirësive të operacioneve në vitet e fundit është rreth 100 operacione në vit. Por, mjetet mbrojtëse të forcave speciale janë pothuajse inekzistente. Përveç detyrës klasike që ky repart realizon, kryen edhe detyra të tjera, si për parandalimin e krimit, ndihmë, në raste katastrofe, nxjerrje kufomash dhe të mbyturish në kuadrin e kërkimit të të humburve. Të tilla misione kërkojnë shumë kohë dhe burime logjistike njerëzore. Pajisjet e këtij reparti janë dëshmi dhe tregojnë se nuk i përgjigjen kërkesave të situatave dhe udhëzimeve për plotësimin e detyrës. Fushat e caktuara që shprehin deficite nuk janë në gjendje të tregojnë dhe të shpalosin një vizion të gjerë të këtij reparti.
Mjetet mbrojtëse
Sa u përket mjeteve mbrojtëse, deficiti fillon që tek jelekët antiplumb. RENEA zotëron jelekë antiplumb për çdo komplet të secilit prej anëtarëve të njësive. Këta jelekë janë prodhuar nga firma të ndryshme, kanë ngjyra dhe modele të ndryshme. Të gjithë jelekët mbajnë një pllakë mbrojtëse në pjesën e qafës dhe pjesën e poshtme. Një pjesë e tyre posedon dhe pllakë mbrojtëse në pjesën e organeve gjenitale. Gjendja e tyre teknike dhe mbrojtëse dëshmojnë dhe njëherë mangësi masive, që në raste serioze të goditjes me armë zjarri të një kalibri 7.62 mm me një municion të mbushjes së plotë, nuk do të ofronin mbrojtjen e nevojshme. Të gjithë jelekët janë në përdorim mbi 10 vjet. Kjo është koha maksimale si dhe koha e garantuar dhe e dhënë nga firma prodhuese, që mund të përdoret për mbrojtje. Mbi të gjitha, shumica e jelekëve janë të konsumuar dhe të dëmtuara në pjesën e jashtme, por edhe në pjesën funksionale të brendshme. Si pasojë e dëmtimeve mekanike, funksionimi i pjesës që mbulon dhe mbron kurrizin shkakton hyrjen e lagështirës dhe ujit, gjë që do të ishte e dëmshme për këto pajisje. Kjo do të sillte dëmtime masive dhe daljen jashtë përdorimi të këtyre jelekëve. Si përfundim lë vend për të konstatuar që anëtarët e RENEA-s momentalisht marrin pjesë në përplasje me armë zjarri dhe automatike, pavarësisht mangësive të jashtme dhe mbrojtjes balistike të nevojshme.
Helmetat mbrojtëse
Çdo anëtar i repartit, veç jelekut, është i pajisur edhe me helmetën mbrojtëse, që është e përbërë nga një shtresë titani dhe elementë të tejdukshëm që lidhin shtresat mbrojtëse. Skeleti i helmetës, sipas informacioneve, nuk është në gjendje të vjetruar, Por, kjo gjë nuk vlen për xhamin mbrojtës të fytyrës. Xhami mbrojtës është i nevojshëm të ndërrohet me mbarimin e pesë viteve konsum. Këtu vlen për tu përmendur se tashmë ekzistojnë shenja dalluese të vjetërsisë së këtyre xhamave, të njëjta me ato të jelekëve.
Pelerinat mbrojtëse
Reparti nuk zotëron asnjë mundësi mbrojtjeje kundër ciflave të një granate dore. Kjo do të thotë që asnjë nga anëtarët e grupit dhe as i dëmtuari ose pengu si dhe kalimtarët e tjerë nuk mund të mbrohen kundër një shpërthimi të mundshëm të një granate dore.
Automjetet
Vlerat taktike të RENEA-s rriten më shumë kur mendojmë se mangësitë teknike, mungesat logjistike në fushën e automjeteve shkaktojnë vonesa në vënien e tyre në dispozicion, gjë që shkakton një planifikim të ri dhe kërkon ndërmarrjen e një plani të ri operacional, për shkak të mosarritjes në kohën e duhur të mjeteve. RENEA ka shtatë furgonë, që ofrojnë ende për transportimin e gjysmës së një grupi. RENEA nuk disponon automjete civile shërbimi, me qëllim vëzhgimin, përgatitjen dhe goditjen e elementëve të ndryshëm. Në këto raste, efektivët përdorin makina personale. Ndërkohë, vendndodhja e repartit është cilësuar si vend i papranueshëm dhe i patolerueshëm për forcat speciale. Këto dhe shumë mangësi të tjera karakterizojnë këtë repart, pavarësisht përgatitjes së lartë të efektivëve, ndërkohë që policia dhe njerëzit presin shumë prej tyre.
Shqip