Berisha Raporti, vlerësim për qeverinë dhe program elektoral për vitin e ardhshëm

Kryeministri Sali Berisha, ka vlerësuar Progres Raportin e Komisionit Evropian, si më objektivin që pasqyron në mënyrë realiste zhvillimet në Shqipëri gjatë këtij viti.
“I tillë është objektiviteti i këtij raporti në vlerësimin e zhvillimeve të gjithanshme të vendit. Raporti përbën një dokument të shkëlqyer për qeverinë time, si program pune, por në mënyrë absolute edhe si program elektoral për kërkesat që shtron dhe për problemet që duhet të zgjidhim për vitin e ardhshëm”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se “duke qenë dakord me të gjitha vlerësimet dhe kërkesat objektive, dua të siguroj Komisionin Evropian dhe shqiptarët se stacioni në të cilin kemi arritur përbën thjesht një bazë shumë të fuqishme për të arritur më shpejt objektivat e shumta që duhen realizuar, përbën një hartë rruge shumë të qartë, e cila në çdo kërkesë që shtron dhe në çdo vlerësim që bën ka një qëllim; interesin e qytetarëve shqiptarë në procesin e integrimit. E gjithë përpjekja jonë për kriteret e Kopenhagenit është njohur dhe vlerësuar në mënyrën më objektive, por e siguroj Komisionin Evropian se nuk do të ketë të ndalur në reforma që do ta bëjë gjithnjë e më të konsoliduar demokracinë tonë, t’i bëjë institucionet shqiptare gjithnjë e më funksionale, të pavarura apo të varura nga ligji. Si rrugën e vetme të zgjerimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë njohim konsolidimin e tyre. Njihen dhe vlerësohen me nota të qarta pozitive përpjekjet tona në reformat ekonomike, por ato që janë arritur janë thjesht burim inspirimi për ne, për të rendur pas niveleve, kritereve, praktikave të tjera të lirisë ekonomike dhe lirisë fiskale”, vuri në dukje Berisha.
...