E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e reformave, nxënësja e shkëlqyer e Brukselit

Progresi, fjala e kudogjindshme në raportin vjetor që Komisioni Evropian publikoi dje për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përmirësime domethënëse në perceptimin e publikut në lidhje me luftën kundër korrupsionit, në reformat ekonomike, në konsolidimin e demokracisë si dhe në respektimin e shtetit të së drejtës.
Liberalizimi i vizave mund të nisë që në fillim të vitit të ardhshëm
Gati aplikimi për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE

Komisioni Evropian publikoi dje raportin vjetor të vlerësimit të ecurisë së Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky raport thekson rolin që politika e zgjerimit e BE-së luan në interesin strategjik të Bashkimit për qëndrueshmëri, siguri dhe parandalim konflikti.
Duke njohur përparimet e Shqipërisë, raporti vëren se ka pasur përmirësim të perceptimit të publikut në lidhje me luftën kundër korrupsionit, janë vënë re të gjitha përpjekjet që janë bërë për luftën kundër këtij fenomeni, si dhe ekonomia shqiptare ka pasur rritje të shpejtë.
“Kjo është arsyeja se përse në Progres Raportin e këtij viti nuk përdoret e njëjta gjuhë apo terminologji që është përdorur një vit më parë. Së fundmi, për sa i përket kritereve politike, duhet theksuar se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 duhet të përgatiten siç duhen dhe duhet të zhvillohen në atë formë, në lidhje dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”, tha Helmuth Lohan, Ambasadori i KE-së, në Tiranë, gjatë prezantimit të këtij raporti.

Kriteri politik
Në prill 2008 parlamenti miratoi një paketë ndryshimesh kushtetuese bazuar në konsensusin mes dy partive më të mëdha, e cila përfshinte ndryshimin e sistemit elektoral, zgjedhjen e presidentit dhe mandatin e prokurorit të Përgjithshëm.
Si pjesë e amendamenteve kushtetuese sistemi elektoral ndryshoi nga një sistem miks (proporcional dhe mazhoritar me 140 vende) në një sistem të ndarë në zona administrative me theks proporcional.
Parlamenti vazhdoi edhe më tej të konsolidojë rolin e tij si qendër e debatit politik. Partitë politike filluan bashkëpunimin në çështje të mëdha. Ky konsensus mes partisë më të madhe të mazhorancës dhe asaj më të madhe të opozitës rezultoi në një progres në reformën në drejtësi dhe atë elektorale. Megjithatë, shumë gjëra mbetën për t’u bërë, për të zhvilluar dialogun konstruktiv mes partive politike në zbatimin e reformave, të cilat janë çelësi i prioriteteve të partneritetit evropian.
Në korrik 2008 parlamenti ngriti një komision ad hoc për të hartuar draft të kodit elektoral. Kompletimi i reformës elektorale do të kërkojë njëkohësisht adoptimin e një kodi gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili do të lejojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në 2009. Zgjedhjet janë prioritet kyç i partneritetit evropian.
Në tërësi, Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në forcimin e strukturave qeveritare në raport me angazhimet e MSA, të cilat janë një prioritet kyç i partneritetit evropian. Gjithsesi, vazhdimi i forcimit të kapaciteteve, koordinimi dhe një plan strategjik për integrimin evropian mbetet i nevojshëm.

Sistemi ligjor
Procedurat juridike kanë mbetur të ngadalta dhe me mungesë transparence. Në mars 2008 një pakt kombëtar për drejtësinë u pranua nga dy partitë politike kryesore, megjithatë një strategji e qartë e reformës dhe e vizionit për sistemin gjyqësor shkoi përpara adoptimit të pjesëve individuale të legjislacionit.
Një lloj progresi është raportuar në mbrojtjen e dëshmitarëve. Ligji i vitit 2007 për Policinë e Shtetit krijoi një drejtori të veçantë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Në këtë moment janë rreth 60 persona në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Buxheti i vitit 2008 alokoi një rritje për këtë program.
Në tërësi, është bërë një progres i kufizuar në reformën juridike, kryesisht në kornizën ligjore. Megjithatë, sistemi juridik vazhdon të funksionojë varfërisht për shkak të mungesës së arritjeve në pavarësi, vlerësim dhe transparencë.

Politikat antikorrupsion
Përpjekje të mëtejshme janë ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit. Perceptimi për luftën kundër korrupsionit është përmirësuar, prapëseprapë korrupsioni mbetet një problem veçanërisht serioz në Shqipëri. Shtrirja e imunitetit ndaj hetimit penal për një numër të madh zyrtarësh shtetërorë dhe anëtarë të parlamentit dhe procedurat për të lënë imunitetin duhet të përcaktohen.
Ligji “Për financimin e partive politike mbetet për t’u zbatuar”. Përgjegjshmëria juridike dhe transparenca në financimin e partive politike mbetet për t’u përmirësuar. Nga prezantimi i sistemit elektronik janë bërë përpjekje për të reduktuar mundësitë për korrupsion në fusha të tilla si administrimi i taksave, shërbimet ndaj biznesit, rikthimi i pronave dhe prokurimet publike. Nga dhjetor 2007 procedurat elektronike janë prezantuar në këto fusha, megjithatë rezultatet dhe impakti i këtyre procedurave mbetet për t’u vlerësuar.
Koordinimi institucional i strukturave përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit mbetet i dobët.
Kapaciteti investigativ i forcës së ligjit në çështjet e korrupsionit mbetet i kufizuar. Qeveria ka pasur njëlloj suksesi në luftën kundër korrupsionit të butë dhe ryshfetit. Një numër zyrtarësh të ulët dhe të mesëm janë shkarkuar për ryshfet.
Në vazhdim zyra e brendshme e kontrollit në Ministrinë e Brendshme dhe skuadra investigative e policisë ka ndërmarrë masa disiplinore kundër 100 policëve për çështje ryshfeti.
Qeveria ka përshkallëzuar përpjekjet e saj për të dënuar disa çështje korrupsioni. Në 224 zyrtarë u identifikuan si të përfshirë në korrupsion dhe konflikt interesash, 53 prej të cilëve u arrestuan dhe u hetuan. Duke pasur parasysh nivelet e larta të korrupsionit një ish-zëvendësministër ka bërë një vit burg. Megjithatë, më shumë përpjekje sistematike nevojiten për të luftuar korrupsionin në tërësi, veçanërisht ryshfetin e përhapur gjerësisht në sistemin juridik, në polici, në shëndetësi dhe në dogana.
Në tërësi Shqipëria ka vazhduar t’i adresohet korrupsionit si një prioritet kyç për partneritetin evropian. Megjithatë angazhimet e deklaruara të autoriteteve për të luftuar korrupsionin duhet të mbështeten nga implementimi rigoroz, ndërsa korrupsioni vazhdon të mbetet gjerësisht i përhapur.

Kriteret ekonomike
Ekonomia shqiptare ka ecur përpara drejt një ekonomie tregu funksionale.
Rritja e shpejtë ekonomike e Shqipërisë u shoqërua nga një rritje e deficitit tregtar, i cili po dobëson pozicionin e jashtëm financiar të vendit.
Shqipëria ka pasur sukses në mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Politika fiskale u dobësua, ndërkohë që vendi filloi të investojë më shumë në infrastrukturë. Kjo u shoqërua me progres në privatizim dhe përmirësim të klimës së biznesit. Ristrukturimi dhe privatizimi i sektorit energjetik nuk u arrit dhe furnizimet e pasigurta me energji vazhdojnë të pengojnë në mënyrë të theksuar zhvillimin ekonomik.
Reforma të tjera të konsiderueshme duhet të vazhdojnë për ta mundësuar ekonominë të përballojë në një periudhë afatgjatë presionet konkurruese dhe forcat e tregut të Bashkimit.

Standardet Evropiane
Shqipëria ka përparuar në përafrimin e legjislacionit, politikave dhe kapacitetit të saj me standardet Evropiane. Tani ka nevojë të përforcojë përpjekjet e saj në zbatimin e këtyre ligjeve dhe politikave.
Përparimi i arritur gjatë viteve të mëparshme në fusha si doganat, konkurrenca, lëvizja e lirë e mallrave dhe politika audiovizuale, është ruajtur.
Megjithatë, në fusha të tjera si energjia, transporti, prokurimi publik, kontrollet veterinare/fitosanitare dhe të drejtat e pronës intelektuale, përparimi ka mbetur i kufizuar. Rezultate të përmirësuara nevojiten gjithashtu, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Vizat
Është bërë pak progres në menaxhimin e vizave. Përgatitjet për një regjistër civil të besueshëm, një sistem adresash janë në vazhdim. Kompjuterizimi i regjistrit të gjendjes civile është kompletuar dhe në shtator zyrat e gjendjes civile kanë nisur të shpërndajnë certifikatat e printuara. Në korrik 2008 një kompani është caktuar për prodhimin e shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportat biometrike. Kompletimi i regjistrit civile dhe adresave është jetike si burim për të dhënat e kartave të identitetit, në mënyrë që të sigurohet një sistem i saktë i dokumenteve të identitetit.
Në tërësi, Shqipëria ka vazhduar që në mënyrë të pjesshme të zbatojë objektivat e saj në fushën e kontrollit të kufijve, por burimet njerëzore mbeten të papërgatitura për të përballuar në mënyrë efeciente këtë çështje.

Pastrimi i parave dhe droga
Progres i kufizuar është bërë në luftën kundër pastrimit të parave, çka vazhdon të mbetet një problem madhor. Ekonomia shqiptare veçanërisht sektori privat mbetet gjerësisht jashtë bankar.
Në termat e mekanizmave të kontrollit ndaj transaksioneve në cash nuk ka strategji për ta ndaluar.
Ligji “Për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit”, u miratua në maj 2008, por zbatimi i tij vazhdon të mbetet peng.
Në përgjithësi, përgatitjet në luftën kundër pastrimit të parave janë në stad fillestar.
Është bërë progres i kufizuar në luftën kundër drogës. Por trafiku i drogës mbetet një shqetësim serioz. Në tërësi Shqipëria është duke bërë një progres të moderuar në luftën kundër trafikut të drogës.

Lufta kundër krimit të organizuar
Është raportuar progres i kufizuar në luftën kundër krimit të organizuar, e cila është prioritet kyç në partneritetin evropian.
Strategjia kombëtare për luftën kundër krimit të organizuar u miratua në korrik 2008, por mbetet për t’u zbatuar. Krimi i organizuar vazhdon të jetë një problem serioz në Shqipëri. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë dhe prokurorëve vazhduan të pengojnë luftën kundër krimit të organizuar.
Megjithëse bashkëpunimi midis organizatave është përmirësuar në nivele të larta, në nivelin operacional vazhdon të mbetet problematik. Në tërësi, në luftën kundër krimit të organizuar Shqipëria vazhdon të bëjë një progres të moderuar.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›