Wollfarth: Konsensus për presidentin dhe reformat. Topalli: Parlamenti, shtylla e demokracisë

Kuvend, përurohet salla e re e komisionit të ligjeve dhe e gazetarëve, me financim të OSBE-së dhe Ambasadës gjermane
Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është inauguruar rikonstruktimi i sallës së mbledhjeve të Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe ambientit që i vjen në ndihmë gazetarëve. Rikonstruksion që u mundësua falë një projekti të Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe ndihmës financiare të qeverisë gjermane. Gjatë kësaj ceremonie, Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, duke vënë në dukje rëndësinë e funksionimit të Kuvendit, theksoi se parlamentarizmi shqiptar përballet me sfida të rëndësishme, siç është reforma zgjedhore dhe zgjedhja e kreut të ri të shtetit, për të cilat kërkoi zgjidhje kushtetuese.
“Kuvendi është një institucion i rëndësishëm i demokracisë në Shqipëri. Do të doja të përmendja dy vendime të rëndësishme që pritet të merren së shpejti, reforma zgjedhore dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës. Kuvendi është pranë arritjes së vijës së finishit për reformën zgjedhore falë një pune të madhe që është bërë nga të gjitha palët politike, qysh prej nëntorit të vitit të kaluar. U bëj thirrje të gjitha palëve të mos harrojnë se ato zënë vendin e tyre në Parlament për t’i shërbyer vullnetit të shprehur të popullit shqiptar. Populli shqiptar duhet të shohë një Kod Zgjedhor të miratuar në mënyrë konsensuale, mbi bazën e të cilit mund të zhvillohen zgjedhje të suksesshme vitin e ardhshëm”- u shpreh Wollfarth. Ndërkaq, kreu i prezencës së OSBE-së u ndal në fjalën e tij dhe në procesin e zgjedhjes së presidentit. “Përsa i takon procesit të zgjedhjes së Presidentit, shpresoj të shohim një proces kushtetues që i tregon popullit shqiptar se si të zgjedhurit e tij do të bashkohen në interes kombëtar për të zgjedhur kreun e shtetit. Shpresoj të shohim shumë mirëkuptim dhe në rastin më të mirë një President të zgjedhur së bashku. Dialogu mes politikanëve kryesore po përcjell mesazhe shpresëdhënëse. Konsensusi politik për çështjet themelore është i nevojshëm. Kjo do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë aspiratën e saj kombëtare drejt familjes europiane”, deklaroi ai.
Gjithashtu, lidhur me një zgjedhje të tillë foli dhe zv/ambasadori gjerman, Erik Tintrup.
“Gjermania pati së fundmi një eksperiencë për zgjedhjen e Presidentit. Në Gjermani ne ishim dëshmitarë të një treguesi të fortë të demokracisë tonë, pasi zgjodhëm një President me personalitet dhe standarde të larta morale. Besoj se edhe në Shqipëri mbizotëron një shpirt i krahasueshëm bashkimi dhe besoj se kjo mund të japë një ndikim pozitiv për zgjidhjen edhe të çështjeve të tjera që lidhen me 12 kriteret integrimit europian”, vlerësoi ai. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke folur mbi zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, shprehu garancinë se i gjithë procesi do të jetë kushtetues.
Projektet për rikonstruksionin e ambienteve të Kuvendit, pritet të vijojnë edhe në të ardhmen, me qëllimin e modernizimit dhe transparencës së Kuvendit.