Berisha: Reformat, duhen debate intensive

Tiranë, 3 mars, NOA Reformat të cilat janë duke u ndërmarrë nga qeveria, duhet të shdërrohen me çdo kusht në objekt diskutimi të formave më të ndryshme.
Një apel të tillë, kryeministri Berisha e ka bërë gjatë fjalës së tij mbajtur në mbledhjen e qeverisë, për të cilën ka deklaruar se është qeveri e një dialogu intensiv.
Sipas tij, një sërë reformash të rëndësishme janë në proces e sipër dhe për këtë, nevojitet patjetër hapja e debateve dhe dialogut, duke siguruar në këtë mënyrë qasjen e duhur në realizimin e tyre.
Bëhet fjalë për reforma të cilat duhet të vijnë si rezultat i një debati të gjerë e për këtë, duhet që të merret edhe mendimi i qytetarëve, tha ndër të tjera Berisha.
Më pas, shtoi se konsultat duhet të përfshijnë edhe qarqet akademike të vendit.
Nuk duhet të shkëputemi nga vështrimi kritik i mendimit akademik, tha ai në mënyrë konkrete lidhur me një fakt të tillë.
Në fund, Berisha ka shtuar se duhet të hapet debat me shoqërinë civile, biznesin, apo grupet e interesit ndaj reformave të ndryshme, sepse në këtë mënyrë do të kemi një zbatim dhe implementim më të sigurt të tyre.
n.e/NOA