E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca, rezistencë ndaj nismave ligjore të Partisë Socialiste

Mbledhja Konferenca e Kryetarëve vendosi t’i kalojë dy nismat ligjore direkt në seancën e 18 marsit

Mazhoranca nuk i ka hapur dritën jeshile opozitës për dy nismat ligjore të depozituara në Kuvend, duke i kushtëzuar me pjesën procedurale rrugën e prezantimit në seancën plenare. Përfundimisht pas një diskutimi të gjatë, mazhoranca ka vendosur që t’i shqyrtojë në seancën plenare të 18 marsit, pa dhënë një sinjal nëse do t’i miratojë apo jo. Por debatet janë zhvilluar ashpër pikërisht në radhën e nisjes së shqyrtimit të dy nismave të PS-së, pasi kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka kërkuar shqyrtimin në radhë të parë të nismës për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore dhe më pas projektvendimin për krijimin e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Pikërisht kjo pikë ka hasur në rezistencën e kreut të Kuvendit, Jozefina Topalli, por edhe në atë të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Duke iu referuar kërkesës së opozitës për hetim, ata kanë deklaruar se nuk e kuptojnë këtë radhë të veprimeve, ndërsa Ruçi bëri të ditur se puna e komisionit mund të nisë proceduralisht atëherë kur të jetë ndryshuar ligji aktual. Në njoftimin zyrtar të zyrës së shtypit të Kuvendit, theksohet se “në konferencë pati diskutime mbi procedurën, afatet e ngritjes së komisionit hetimor, për procedurën dhe afatet për kërkesën e shqyrtimit me procedurë të
përshpejtuar të ndryshimeve në ligjin nr. 8891 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’ dhe për përmbajtjen dhe përputhshmërinë ose jo, me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi qartë se mazhoranca nuk e ka shprehur vendimin politik për t’iu përgjigjur ofertës së opozitës. “Për fat të keq nuk lexuam, nuk pamë, nuk dëgjuam ndonjë preokupim për ndryshim të vullnetit politik të mazhorancës, përkundrazi, u ndeshëm me pretendime procedurale të cilat zgjatën”. Ruçi theksoi se në seancën plenare të 18 marsit do të shpaloset edhe vullneti politik i palëve, edhe instrumenti i votës së minorancës dhe mazhorancës. Numri dy i socialistëve shqiptarë ka lëshuar ndërkaq një paralajmërim të qartë ndaj mazhorancës: “Do të vazhdojmë të bëjmë apel, do të shpalosim të gjithë përgjegjësinë dhe seriozitetin tonë, që këto nisma janë kërkesë e domosdoshme për zgjidhjen e krizës politike dhe janë një kërkesë e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Nëse do të ndodhë e kundërta, ky do të jetë lajmi më i keq për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Por në mendim krejt të kundërt ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i cili deklaroi se mungonte vullneti politik i opozitës, e cila sipas Patozit ka ndryshuar edhe rendin e nismave ligjore. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike bëri të ditur se mazhoranca ka rënë dakord parimisht për të diskutuar nismat e opozitës, por jo përmbajtjen e saj. Në seancën plenare të së enjtes së kaluar, Partia Socialiste ka paraqitur në Kuvend dy drafte, përkatësisht: projektvendimin “Për ngritjen e komisionit hetimor”, si dhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8891 ‘Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit’”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›