E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Mos abuzoni me liberalizimin e vizave

Apeli Jemi informuar nga autoritetet belge për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga tri vendet përfituese

Komisioni Europian u bëri dje thirrje urgjente autoriteteve kombëtare të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, të mos abuzojnë me liberalizimin e vizave dhe të informojnë siç duhet qytetarët që braktisin vendin për të kërkuar azil në Europë. Zëdhënësi i Cecila Malmstrom, komsioneres europiane për çështjet e brendshme dhe të drejtësisë, ka sqaruar fillimisht se cilat janë shanset që qytetarët e këtyre vendeve të përfitojnë azil në Europë.

“Ne jemi informuar nga autoritetet belge për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga vendet që përfituan së fundmi prej liberalizimit të vizave. Në veçanti i referohem ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ky fenomen shihet si pasojë e liberalizimit të vizave. Sigurisht që neve do të na duhet të vlerësojmë shtrirjen e rritjes së kërkesave nga këta azilkërkues. Por mund të them me një siguri të arsyeshme se bëhet fjalë për një çështje të rrymave apo presioneve të migrimit, si dhe se shumica dërrmuese e këtyre azilkërkuesve vijnë për arsye ekonomike, çfarë do të thotë se kanë realisht shanse tepër të vogla suksesi”, deklaroi Michele Cercone, zëdhënës i komisioneres Cecila Malmstrom.

Reagimi i Komisionit Europian erdhi disa ditë pas letrës që Kryeministri belg i dërgoi komisioneres Malmstrom në lidhje me rritjen e frikshme të numrit të azilkërkuesve nga vendet që përfituan liberalizimin e vizave. Komisioni u bën thirrje këtyre vendeve të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga kjo politikë.

“Kjo gjë i mundëson komisionit t’u përkujtojë autoriteteve kombëtare të vendeve që përfituan nga liberalizimi i vizave se ata janë të detyruar të informojnë qytetarët e tyre për të drejtat, por edhe për limitet që burojnë nga liberalizimi i vizave. Pra, Komisioni Europian u bën thirrje urgjente këtyre vendeve të bëjnë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të shmangur faktin që qytetarët e tyre të keqkuptojnë apo të keqpërdorin lirinë për të udhëtuar në vendet e BE-së pa viza. Kjo liri shoqërohet me përgjegjshmëri dhe është thelbësore që të mos abuzohet me rregullat e qarta për të cilat është rënë dakord bashkërisht”, shtoi Cercone.

Për të diskutuar mbi përgjegjësitë e secilit mbi fenomenin e braktisjes së vendit për të kërkuar azil në Belgjikë, Kryeministri belg Yves Leterme viziton më 8 mars Shkupin, i shoqëruar nga sekretari belg i Shtetit për azilin dhe migracionin Melchior Whatelet. Qytetarët që lanë vendlindjen dhe emigruan drejt vendeve të Europës Perëndimore, kryesisht në Belgjikë, pasi panë nga afër se shanset për të përfituar azil janë negative, kanë filluar të kthehen. “Na mashtruan, më mirë në shtëpi sesa rrugëve të Belgjikës”, thoshin për “Alsat” të sapokthyerit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›