OSBE: Korrupsioni frenon zhvillimin ekonomik të vendit
Korrupsioni në vend duhet të dënohet me ashpërsinë më të madhe dhe duhet të krijohet një regjistër bindës verdiktesh në lidhje me këtë problem. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Renate Herrmanns, në një ceremoni të organizuar me rastin e dorëzimit të certifikatave të trajnimit të zyrtarëve publikë mbi “Parandalimin e konfliktit të interesit në administratën publike”. Sipas saj, vendi ynë ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por disa raporte ndërkombëtare të kohëve të fundit si Indeksi i vitit 2009 i “Transparency International” për Perceptimin e Korrupsionit tregojnë se korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri. “Korrupsioni e frenon zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Ai vepron si një pengesë për investitorët e mundshëm, prezanton një imazh negativ për vendin jashtë shtetit, i largon fondet nga programe të rëndësishme të asistencës sociale dhe dënon me varfëri shtresat më të dobëta të shoqërisë”, theksoi zëvendëskryetarja e OSBE-së në fjalën e saj. Herrmanns theksoi se shpesh ligjet e bëra nga qeveria për këtë luftë nuk zbatohen dhe kjo krijon probleme të mëdha. Sipas saj, për të pasur edhe më shumë rezultat në këtë luftë është e nevojshme të krijohet një regjistër bindës verdiktesh dhe dënimesh e gjobash të ashpra në rastet e korrupsionit. Por nga ana tjetër, zëvendëskryetarja e OSBE-së theksoi se qeveria duhet të marrë masa për të përfshirë sa më shumë shoqërinë civile në luftën kundër këtij fenomeni negativ. Sipas saj, do të ishte një zhgënjim i madh nëse gjithë ky zhvillim i madh social, ekonomik dhe politik që ka bërë Shqipëria në procesin e reformave të çalonte për shkak të mosecjes përpara në fushën e adresimit të korrupsionit. Nga ana e tij, drejtuesi i ILDK-së, Adriatik Llalla, theksoi se parandalimi i konfliktit të interesave është një ndër masat më të rëndësishme për të shmangur korrupsionin. Për këtë arsye, sipas tij, investimi i përbashkët do të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e imazhit të zyrtarëve përpara opinionit të gjerë publik. Adriatik Llalla theksoi se tashmë fokusi i punës së këtij inspektorati është përqendruar kryesisht në ndëshkimin e rreptë të elementit korruptiv.
#