Gramoz Ruçi, kryetar grupi me votë unanime
Gramoz Ruçi është zyrtarisht kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Kryesia e kësaj partie, e mbledhur dje paradite, i propozoi deputetëve emrin e Ruçit për të drejtuar në këtë legjislaturë grupin parlamentar. Ruçi u zgjodh me votë unanime. 55 deputetët e pranishëm në mbledhjen e djeshme u shprehën me votë të fshehtë pro tij. Ndërsa nuk është marrë ende asnjë vendim për dy nënkryetarët dhe sekretarin e grupit parlamentar. Emrat më të përfolur janë ata të Pandeli Majkos dhe Erjon Braçes si dhe Taulant Ballës dhe Damian Gjiknurit.
Në mbledhjen e Kryesisë dhe të grupit parlamentar mungonin përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, përveç deputetit Arben Malaj. Veç të tjerash në mbledhjen e grupit mungonin tetë deputetë, Andis Harasani, Kastriot Islami, Ben Blushi, Marko Bello, Rudina Seseri, Pandeli Majko, Ilir Bejtja dhe Fidel Ylli. Pritet që edhe kryesuesit e tjerë të grupit të zgjidhen me votë të fshehtë. Sakaq, selia rozë po përgatit një draft propozimesh të rregullores së re të funksionimit të grupit parlamentar.
Në tërësi, rregullorja e re synon mirëfunksionimin e grupit, kryesisht te veprimtaria e tyre në Kuvend, por edhe mbi qëndrimet politike. Së pari është qartësuar se asnjë deputet nuk mund të mungojë. “Nuk lejohen mungesa as në seancat plenare, as në mbledhjet e grupit parlamentar”, thuhet në draftin e përgatitur nga selia rozë. Një tjetër ide e paracaktuar është krijimi i Kryesisë së grupit parlamentar. Sipas propozimit, në të bëjnë pjesë kryetari i grupit, nënkryetarët apo sekretarët e grupit parlamentar, por edhe kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve parlamentare sipas ndarjes. Një rregull i fortë është vendosur për ata që duan të flasin në seanca parlamentare. “Asnjë deputet që nuk është planifikuar në listë nga Kryesia e grupit paraprakisht, nuk mund të flasë në seancë”, thuhet në këtë draft.
#