E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Refuzova negociatat ditët e grevës



ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha zbardh për herë të parë detaje nga greva e urisë 19-ditore e opozitës, por edhe nga telefonatat kur u negociua darka e Strasburgut. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e para që nga takimi me kreun e PS-së, Edi Rama, në restorant “Crocodille” kreu i Qeverisë shprehet optimist për gjetjen e zgjidhjes, por në të njëjtën kohë është i vendosur për të zbatuar Kodin Zgjedhor, çka nënkupton hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe asgjësimin e fletëve të votimit.
Negociatat
Sipas kreut të maxhorancës, në afro tri javë që zgjati greva e urisë së PS-së, pikërisht para zyrës së tij, kanë qenë të shumta tentativat për të negociuar dhe gjetur gjuhën e përbashkët mes tij dhe kundërshtarit politik, Edi Rama. Por, para deputetëve demokratë, Berisha theksoi se nuk ka pranuar asnjë negociatë, vetëm për të respektuar shtetin ligjor dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar. “Gjatë atyre ditëve u bënë përpjekje të mëdha, të shumta dhe të shumëllojta, për të bërë zgjidhje të negociueshme. Unë që kam qenë gjithnjë dhe mbetem gjithnjë i hapur për takime, për negociatat, në atë periudhë nuk pranova asnjë emisar, asnjë ndërmjetës të vullnetit të mirë dhe unë dua t’u kërkoj të falur atyre. Në qoftë se e bëra këtë, jo se nuk kisha respekt dhe nuk vlerësoja qëllimin e mirë të tyre, por sepse unë kisha vendosur në emër të disa interesave më të mëdha, interesa jetike për çdo qytetar shqiptar, të pozitës, të opozitës, të ri, të moshuar, burrë, grua, djalë, vajzë, që të respektoja protestën, por të respektoja tërësisht edhe ligjet e vendit tim, të respektoja shtetin ligjor. Kështu që nuk u zhvillua, qoftë edhe një negociatë e vetme”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Kushti për Strasburgun
Në të njëjtën kohë Kryeministri Sali Berisha foli për herë të parë edhe për telefonatën që i erdhi nga Brukseli në 19 maj, ku ai dhe kreu i PS-së, ftoheshin për një darkë në Strasburg me krerët e dy forcave më të mëdha politike në Parlamentin Evropian dhe Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule. Kreu i maxhorancës tha se kushti i vetëm i tij për të marrë pjesë në tryezë së bashku me Ramën ishte dhënia fund e grevës së urisë. “Nuk kisha asnjë kusht tjetër përveç faktit që unë për grevën dhe me grevën nuk mund të diskutoja, sepse kjo nuk mund të ndodhte. Unë gjeta mirëkuptimin e plotë të bashkëbiseduesve të mi për qëndrimin tim. Në mënyrën më absolute nuk e bëra këtë për t’i diktuar qoftë dhe gjënë më të vogël opozitës shqiptare. Jo, kategorikisht”, tha kreu i Qeverisë, teksa shtoi se menjëherë pas heqjes së çadrave para Kryeministrisë, ai u nis për në Strasburg. Berisha vlerësoi me nota pozitive darkën me krerët e grupeve të partive në PE dhe shtoi se në tryezë spikati vullneti për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Neni 178
Por ndërsa bëri të ditur se do të pranojë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore në komisionin hetimor, i cili do të drejtohet nga opozita, Kryeministri Berisha u shpreh i vendosur të zbatojë nenin 178 të Kodit Zgjedhor. Kjo do të thotë se me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, automatikisht kutitë e fletëve të votimit do të digjen. Në këtë kontekst kreu i Qeverisë kritikoi qëndrimin e Ramës, i cili ka deklaruar se nuk do të zbatojë këtë dispozitë të ligjit elektoral. “Tani në qoftë se ju thoni zoti Rama se unë nuk e pranoj nenin 178, mos mendoni se unë do t’ju dhuroj nenin 178? Jo i nderuar zotëri. Prandaj t’i lemë këto, pasi janë gjëra, të cilat nuk çojnë drejt mirëkuptimeve dhe kapërcimit të situatës, por përkundrazi. Ligjet janë për t’u zbatuar. Edhe sikur ne, në doktrinën e së drejtës të ulemi bashkërisht dhe ta anulojmë nenin 178, ne nuk mund t’u japim fuqi prapavepruese, se jemi ligjvënës, jemi politikanë. Këto janë gjëra elementare, por megjithatë shpresoj që ta realizojë, pasi ligjet janë për t’u pranuar”, u shpreh Berisha.

Neni 178

Pika 6
Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›