E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Protesta nëse s’ka zgjidhje



Aristir Lumezi

Kryetari socialist kërkoi dje zgjidhjen e krizës politike brenda dy javësh, në të kundërt PS rinis protestat. Këtë deklaratë, Rama e bëri gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit të deputetëve dhe 180 mbështetësve të PS që morën pjesë në grevën e urisë.“Në rast se zgjidhja përsëri nuk vjen, përsëri na lind e drejta dhe detyra të ecim më tutje në rrugën e protestës, ku jemi ndalur dy javë, për të krijuar të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë”, u shpreh Rama, duke i dhënë përgjigje të gjithë opinioneve që sipas tij ishin për vazhdimin e grevës së urisë dhe mos vajtjen në tryezën e Strasburgut. Rama paralajmëroi se nëse këto negociata do të dështonin, vendi do të humbte shumë. “Humbja e këtij shansi do të rëndonte jashtëzakonisht shumë pasojat e kësaj krize që i ka rrënjët te kutitë e mbyllura të 28 qershorit. Hapja e kutive nuk duhet diskutuar më. Zgjidhja është pikërisht te mosdiskutimi më tutje i kësaj pike. As ngritja një orë e më parë e Komisionit Hetimor me shumicë dhe drejtim nga opozita dhe lejimi i hetimit të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve, nuk duhen vonuar përtej kufirit të dy javëve”, u shpreh Rama. Kreu socialist, duke folur para deputetëve dhe ish grevistëve të urisë, zbardhi dhe mënyrën se si PS kërkon të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Në ditët në vijim, brenda kësaj jave që sapo ka nisur, tryeza do të vazhdojë në Tiranë në formën e negociatave që do të ndërmjetësohen nga një grup të dërguarish prej miqve e partnerëve të Shqipërisë, të pranishëm në takimin e Strasburgut. Ndërkohë duhet të kuptohet qartë se afati prej dy javësh, që i është lënë zgjidhjes ka karakter ultimativ. Që do të thotë se moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian e me çdo faktor të përfshirë në tryezë. Por padyshim thellimi i kësaj krize do të kishte pasoja të rënda, jo vetëm lidhur me axhendën tonë evropiane, por edhe mbi gjendjen e vendit”, u shpreh Rama. Ai shprehu gatishmërinë dhe angazhimin që “të realizojmë zgjidhjen brenda dy javësh”. “E, po të jetë për ne edhe më shpejt, qysh sot, sigurisht pa hequr dorë për asnjë çast nga transparenca e shumëkërkuar. Shansi që i është dhënë zgjidhjes me ngritjen e tryezës së Strasburgut është një shans që nuk duhet humbur, sepse interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve e kërkon këtë”, u shpreh Rama.
Greva
Kreu socialist thirri dje një mbledhje të zgjeruar të grupit të deputetëve, ku kishte ftuar dhe grevistët e urisë, krerët lokalë të PS, si dhe krerët e disa partive aleate, si Ngjela, Gjinushi, Ndoka, Zogaj etj. Rama i falënderoi të gjithë ata për kontributin e dhënë në një zinxhir protestash dhe grevën e urisë, e cila bëri që sot palët të ulen nën një format që pritet të sjellë zgjidhje mes maxhorancës dhe opozitës. “Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar nuk është njësoj. As kauza jonë nuk është aty ku ishte kur nisi greva. Falë grevës ka rënë tabuja e kutive të mbyllura. Me sakrificën tuaj në radhë të parë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të popullit opozitar, që u derdh në protesta të paharrueshme, kutitë de fakto janë hapur”, u shpreh Rama. Por gjatë fjalës së tij, Rama hodhi dyshime se Kryeministri Berisha mund t’i shmanget zgjidhjes së krizës. “Njësoj si ju, nuk kam dyshim se deri në dekikun e fundit, ai do të mundohet t’i bishtnojë çdo zgjidhjeje të drejtë të problemit, duke u munduar të vjedhë kohë dhe ta pengojë transparencën që ne kërkojmë me 101 marifete”, u shpreh Rama.

Fatmir Xhafaj
Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj tha dje se beteja e opozitës duhet të shkojë deri në fund. “Gjithçka çfarë ka ndodhur, gjithë aksioni i jashtëzakonshëm politik i opozitës, në emër të transparencës që kulmoi në tri javët e stuhishme të grevës së urisë, është një luftë që meriton të shkojë deri në fund. Socialistët janë njerëz të mirë, të aftë të negociojnë, të aftë të afrojnë dhe të pranojnë kompromis, por ata nuk janë kurrë të gatshëm të ulin shpinën dhe t´i kthejnë shpinën shpirtit. Ata nuk do të pranojnë kurrë që të bëhet pazar me dinjitetin e tyre, në të cilin u shtua pikë mbas pike çdo pikë serumi që hyri në trupat tanë ditë mbas dite dhe natë mbas nate, në 19 ditënet urie”, u shpreh Xhafaj.

Blendi Klosi
Deputeti socialist Blendi Klosi, një nga grevistët e urisë, tha dje se “edhe 100 herë po të ktheheshim mbrapa, mendoj të 200 vetat që ishim, të 200 do të ishim futur edhe 100 herë të tjera në grevë. Kjo sepse ne besuam te kauza, ne besuam te fitorja jonë. Ne u futëm në grevë për një çështje të madhe, prandaj unë do të doja të falënderoja të gjithë ata që u bashkuan me grevën, të gjithë ata të cilët ishin aty me ne, dhe ata që na mbështetën”. Ai nuk ka kursyer së falënderuari aleatët e PS. “Një falënderim i veçantë i shkon aleatëve të kësaj greve, aleatëve të PS, sepse edhe ata u bashkuan jo me emra të përveçëm, por u bashkuan me idealin e grevës së urisë”, tha Klosi.

Negociatat, Rama mbledh tryezën e partive aleate
Kreu socialist mblodhi dje pasdite në Hotel “Tirana International” tryezën e partive aleate të majtë dhe të djathtë, në lidhje me negociatat për zgjidhjen e krizës politike. Pas përfundimit të takimit, kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela theksoi se Shqipërisë i është dhënë një ultimatum i rreptë nga ndërkombëtarët. Ngjela tha se aleatët e PS përkrahin qëndrimin e ndërkombëtarëve, ndërsa konsideroi të papërgjegjshme deklaratat e maxhorancës për djegien e fletëve të votimit. “Shqipërisë i është dhënë ultimatum i rreptë, nga i cili mund të ngrihen të gjitha marrëdhëniet me BE dhe botën perëndimore, nëse palët nuk bien dakord deri sa të bëhet hetimi. Të gjithë veprimet e tjera që fliten nga papërgjegjshmëria, janë në kundërshtim me të ardhmen perëndimore të Shqipërisë” u shpreh Ngjela. Pasi ka dalë nga mbledhja me aleatët, edhe kreu i G99, Erion Veliaj është shprehur dakord me propozimet që ndërkombëtarët i kanë bërë Ramës në Strasburg. Veliaj ka deklaruar se greva e urisë së depozitës ia ka arritur qëllimit, pasi e “ka vënë Berishën me shpatulla pas murit”. Sipas Veliaj, Berishës i janë dhënë dy opsione, “ose të zgjidhë e ta fusë Shqipërinë me kombet e qytetëruara, ose ta lerë në zgjedhje të korruptuara”. Veliaj ka theksuar që hapja e kutive është e padiskutuar, por opozita dhe aleatët e saj shqetësohen për masën e transparencës që do të bëhet me to.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›