Berisha: Regjistrimi i etnive dhe fesë, i drejtë

çështja e regjistrimit të popullatës mbi bazën e fesë, nuk ka përse të krijojë keqkuptime dhe të bëhet pjesë e diskutimeve. Por gjithsesi, çështjet e mëdha janë gjithmonë shkas për debat dhe identiteti është një element mjaft i rëndësishëm. Kështu ka deklaruar në mbledhjen e qeverisë lidhur me çështjen e regjistrimit të popullatës në bazë të përkatësisë fetare dhe asaj etnike kryeministri Berisha. Sipas tij, nuk qëndron hipoteza se po krijohen përçarje fetare nga deklarimi i fesë për qytetarët. "Nuk mund të krijohet asnjë lloj problemi, kush të dojë të deklarohet si ateist, le të deklarohet i tillë", tha Berisha për këtë çështje.
Më tej, shtoi se sa i përket çështjes së etnisë, mbreti Zog ka zbatuar standardet më të mira të botës, duke kërkuar deklarimin e etnisë.
"Shqiptarët kudo që janë nuk duhet të kenë asnjë kompleks nga deklarimi i etnisë së tyre, ne nuk kemi vuajtur kurrë për identitet. Ne nuk kemi probleme të tipit se nga jemi dhe ku shkojmë, e kjo na ka ndihmuar shumë në kompensimin e mjaft mungesave të tjera që kemi patur", tha Berisha për këtë.