Berisha Renditja e Universiteteve cilesia e domosdoshme
Kryeministri Sali Berisha duke folur në konferencën e prezantimi të projektit pilot të renditjes së institucioneve të arsimit të lartë, tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme se gara ndaj cilësisë.
“Nuk ka asnjë më të rëndësishme se gara ndaj cilësisë, gara më e vështirë, garë e cila kërkon burime të shumta, potenciale të reja. Garë e cila është vendimtare në realizimin e projektit, “Shqipëria vend zhvilluar.” Shqipëria duhet të jetë dhe duhet të bëhet një vend i zhvilluar, dhe nëse marrim ecurinë e këtyre 20 viteve megjithë problematikën, si në asnjë vend tjetër Shqipëria ia ka dalë të arrijë rezultate më të mira.”- tha kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit, sistemi arsimor është një nga sistemet që ka pësuar më shumë ndryshime, por edhe që është përballur me vështirësi të mëdha.
Ai premtoi më shumë investime për arsimin, dhe e cilësoi autonominë e universiteteve si shumë të rëndësishme duke shprehur vullnetin e qeverisë për të dhënë ndihmën e saj.
“Qeveria është e gatshme të konsolidojë qëndrimin më të hapur ndaj jush”- tha ai.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria do të jap gjithë ndihmesën e saj për garantimin e autonomisë së universitete. Ai u shpreh se çdo gjë do të bëhet në bazë të ligjit.
“Universitetet duhet të gëzojnë autonominë e tyre. Ka një ligj që garanton antoniminë në mënyrë të plotë. Qeveria do të mbështes me mundësitë e veta sektorin publik, por edhe privat, sepse edhe ai është jetësor”, tha Berisha.
Nga ana tjetër ai ka theksuar se renditja e institucioneve të arsimit të lartë është një instrument i domosdoshëm.
Berisha u shpreh se angazhimi i qeverisë është përmirësimi. “Cilësia është kushti më vendimtarë për lirinë akademike. Ne kemi nevojë të investojmë me përparësi në arsim”, tha Berisha.