Berisha: Respektoj grevën, por jo bllokimin e rrugëve
Kryeministri Sali Berisha do të vazhdojë të respektojë të drejtën kushtetuese të grevës së urisë në bulevard, pavarësisht se ajo është e kundraligjshme, por nuk do të tolerojë bllokimin e akseve nacionale. Berisha vuri dje në dukje: Në planet nuk mund të gjendet një situatë e tillë për shkak të sigurisë, por ju garantoj se kjo do të respektohet për hir të Kushtetutës. Mirë do ishte të kishin dalë para Piramidës, pasi nuk do ishin lënduar qytetarët. Unë jam i gatshëm të jap hapësira ku të dojë. Jam njeri që hapat e parë të jetës sime në politikë i kam bërë në protestë, - por, - dua të garantoj pushuesit dhe shqiptarët se akset do të jenë të gjitha të kalueshme. Nëse është pranuar ky segment të bllokohet dhe që mund të pastrohet brenda 30 minutash, vetëm me pretekstin e sigurisë, një pretekst madhor për çdo vend, sot nuk është bërë kjo vetëm me këmbënguljen time për të respektuar vullnetin e protestës dhe të kënaqësisë që ata duan të qëndrojnë... Rrugët nuk janë të Berishës, Berisha i ka të gjitha mjetet e lëvizjes, por qytetarët nuk i kanë, - tha Kryeministri, duke pohuar qartë se nuk do të tolerohet bllokimi i akseve nacionale.