E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia: Qarqet ekstremiste, imponim qeverisë shqiptare

“Ne besojmë që këto qarqe nuk duan të ketë një regjistrim të saktë të minoriteteve në Shqipëri”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke

Shpërndarja në Shqipëri e certifikatave të lindjes pa treguesin e kombësisë ka ngjallur reagimin e Athinës zyrtare. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Greke, Gregory Delavekouras, i pyetur nga mediat tha dje se “jemi në dijeni të kësaj çështjeje dhe po e ndjekim nga shumë afër. Vendimi i qeverisë shqiptare, për të hequr të dhënat mbi kombësinë në certifikatat familjare dhe personale, pa konsultime me përfaqësuesit e minoritetit, ngre disa pikëpyetje dhe shqetësime, lidhur me motivet që qëndrojnë prapa këtij ndryshimi të praktikave të vjetra”. Delavekouras insistoi se çështja e certifikatave me ndryshimin e kombësisë, e përdorur ndër vite në vendin fqinj, në kombinim me shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, na bën të dyshojmë se qarqe të caktuara ekstremiste po i imponojnë qeverisë politika aspak largpamëse. “Ne besojmë që këto qarqe nuk duan të ketë një regjistrim të saktë të minoriteteve në Shqipëri”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të fillojë dialogun serioz dhe të sinqertë me përfaqësuesit e minoriteteve. Zëdhënësi insistoi se Greqia ka mbështetur gjithnjë perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe specifikisht të Shqipërisë, që prej asaj çka u cilësua axhenda e Selanikut dhe më tutje axhenda 2014. “Por mbetet që Shqipëria të plotësojë obligimet e saj specifike në afatet e përcaktuara nga Bashkimi Europian, mbi të cilat varet edhe rruga e integrimit të saj. Duke u bazuar te kriteret e Kopenhagenit, këtu përfshihet respekti për minoritetet, të drejtat e njeriut dhe standardet evropiane, të cilat kanë një rëndësi për Greqinë. Në lidhje me çështjen, vendi ynë do të lajmërojë autoritetet e komunitetit evropian”, u shpreh Delavekouras. Ne do të vazhdojmë, vijoi ai, të ndjekim nga afër situatën, veçanërisht në lidhje me respektimin e të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri. “I kërkojmë qeverisë shqiptare të konsultohet në lidhje me këtë çështje, në një mënyrë konstruktive, me përfaqësuesit e minoritetit, të cilat kanë shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj këtij vendimi. Duhet kërkuar arritja e një zgjidhjeje që do të marrë në konsideratë shqetësimin e tyre të kuptueshëm”, përfundon deklaratën zëdhënësi i ministrisë. Reagimi i diplomacisë greke vjen pasi që prej 23 majit, nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, ka dalë një format i ri certifikatash personale dhe familjare, që nuk përmbajnë më treguesin e kombësisë. Një veprim i tillë fillimisht u kundërshtua nga organizata “Omonia”, e cila e cilësoi të papranueshëm, provokativ dhe të rrezikshëm ndërsa këto dokumente nuk u pranuan në të gjitha procedurat dhe aplikimet e Konsullatës së Përgjithshme Greke në Gjirokastër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›