E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Roli i Mediut i jashtëzakonshëm

• Debati për shpërthimin e 15 marsit në Gërdec, ka zbritur së fundi edhe në grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Kjo edhe për shkak se prej dy javësh grupi parlamentar i PD-së, nuk është mbledhur për të diskutuar lidhur me këtë çështje, me gjithë disa deklarata spontane të deputetëve demokratë në media. Në mbledhjen e djeshme ka qenë vetë Kryeministri Berisha, ai i cili ka dashur të sqarojë deputetët lidhur me çështjet teknike të debatit për përgjegjësinë e Gërdecit, teksa është shprehur i gatshëm t'u vërë atyre në dispozicion dokumentet për këtë ngjarje. Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë ka vlerësuar punën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu në krye të këtij dikasteri. "Zoti Mediu ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit", mësohet të ketë thënë Kryeministri Berisha. Por sipas tij "pjesën e përgjegjësisë ligjore e ka në dorë Prokuroria. Ne i kemi kërkuar asaj që të zbardhë të plotë këtë çështje, sikundër duhet të jetë zoti Mediu ai që i intereson më shumë zbardhja e saj". Nga ana tjetër deputetët demokratë kanë theksuar domosdoshmërinë e një analize të thellë me grupin e PD-së dhe maxhorancën për shkaktarët që çuan në atë shpërthim në Gërdec. "Eshtë gjëja më normale që pas samitit të ketë një analizë të qeverisjes, edhe për punët brenda PD-së dhe brenda maxhorancës. Çfarë kanë bërë Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punës që s'e kanë kontrolluar këtë fabrikë?", mësohet të ketë thënë ish-ministri Mustafaj në këtë mbledhje. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti Babasi, i cili ka kërkuar analizë të thellë brenda maxhorancës. Nga ana tjetër Kryeministri Berisha ka garantuar se menjëherë pas samitit do të ketë një analizë për qeverisjen, por edhe për ngjarjen e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›