E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Roli i udhëheqësve shpirtëror themelor në zhvillimet e vendit

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha shtroi sot një drekë në rezidencën qeveritare Vila 31, për drejtuesit e bashkësive fetare, me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm të gjithë drejtuesit fetarë në vend vec kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, në të ishin të pranishëm Imzot Rrok Mirdita, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Dode Gjergji, Ipeshkv i Republikës së Kosovës, Imzot Zef Gashi, Ipeshkv i Tivarit, Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman, Baba Edmond Brahimaj, Kryetar i Kryegjyshatës Botërorë të Bektashinjve.

Morën pjesë gjithashtu, Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Ambasadori i Komisionit Evropian, Ettore Sequi dhe Ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për kontributin e rolin e tyre frymëzues, në konsolidimin e infrastrukturës shpirtërore të kombit shqiptar dhe kultivimit të mesazhit të çmuar të mirëkuptimit e harmonisë.
"Në 100 vjet, tha Kryeministri, udhëheqësit shpirtërorë të shqiptarëve kanë pasur nga Lidhja e Prizrenit deri në ditën e sotme, një rol themelor në zhvillimet pozitive të këtij kombi, kanë gjetur në të gjitha rastet mirëkuptimin e përbashkët, për të çuar përpara një çështje të drejtë, lirisë kombëtare", theksoi kryministri Berisha.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›