E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Bankat, ecuri pozitive në 2011-ën, kanë mbështetur zhvillimin

TIRANE - Banka e Shqipërisë vlerëson pozitive ecurinë e sistemit bankar gjatë këtij viti. Në takimin e fundviti me shoqatën e bankave, guvernatori Ardian Fullani ka deklaruar se bankat kanë kontribuar në zhvillimin e ekonomisë nëpërmjet kreditimit.

“Portofoli i kredive të sektorit bankar është rritur me 9.6% gjatë vitit, ose rreth 15% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit kredia në lekë është rritur me ritme më të shpejta se kredia në valutë. Zgjerimi i aktivitetit është mbështetur kryesisht prej rritjes se depozitave, të cilat zënë 81.4% të totalit të detyrimeve.”- deklaroi Fullani.
Kreu i Bankës së Shqipërisë i ka kërkuar sistemit bankar që të vijojë kreditimin, duke shfrytëzuar kushtet që janë krijuar në ekonominë shqiptare.

“Është e rëndësishme që sektori bankar të shfrytëzojë dhe të mbështesë këtë tipar të shquar të agjentëve ekonomikë privatë dhe publikë, duke iu ofruar atyre plotësimin e qëndrueshëm të nevojave për financim dhe për shërbime të tjera. Një veprim i tillë duhet të mbështetet jo vetëm në përvojën e deritanishme të suksesshme, por edhe në një logjikë ekonomike, në kushtet kur janë të pakta vendet e rajonit që kanë ruajtur një rritje ekonomike pozitive.”- u shpreh Fullani.

Guvernatori Fullani ka garantuar se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë objektivat themelorë të saj, për stabilitetin e çmimeve dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›