Berisha: Rrëzimi i Gadafit, një fitore e madhe. Replikon me editorialin e Ramës
Kryeministri Berisha, mbledhjen e sotme të qeverisë e ka kthyer në një mbledhje të ngjashme me atë të NATO-s, ku ka folur për zhvillimet në Libi
Berisha e ka cilësuar rënien e Tripolit të njëjtë me atë që ndodhi më 20 shkurt të vitit 1991 në Tiranë.
Përveçe është marrë për një kohë të gjatë me rënien e Tripolit, Berisha është marrë edhe me rivalin e tij, Edi Rama, pas publikimit të ediotrialit të kreut të opozitës në lidhje me reagimin e Berishës mbi zhvillimet në Libi.
Berisha ka thënë se Rama tashmë ka hequr dorë nga politika, për tu marrë me publicistikë.
Më poshtë është një pjesë e fjalimit të Berishës në mbledhjen e qeverisë:
Me sakrificën e tyre, populli i Libisë rrëzoi një diktaturë 42-vjeçare të Gadafit. Libianët përjetuan dje 20 shkurtin e vitit 1991 që ndodhi në Shqipëri. Gadafi ishte bërë tmerri dhe ferri për qytetarët e tij, njësoj si tmerri dhe ferri i Bllokut për shqiptarët.
Qeveria shqiptare ka mbështetur që në fillim koalicionin që u ngrit nga NATO në mbrojtje të civilëve, që po sulmoheshin barbarisht nga Koloneli mizor. Qeveria shqiptare nuk ka pasur mundësi financiare për të ndihmuar operacionin, por ne kemi njohur që në fillim Këshillin Kombëtar të Tranzicionit.
Ne jemi gati që të ndihmojmë Libinë në operacionet humanitare.
Rënia e Tripolit përbën një fistore historike për qytetarët e Libisë. Rënia e Bllokut ishte ekzekutim politik i Kolonelit famëkeq. Kjo është një fitore e madhe e lirisë, me gjithë çmimin që ishte ndoshta i pashmangshëm për tu paguar.
Pa ndihmën e NATO-s, Koloneli gjakësor do të mund të kishte zhdukur 1 milionë qytetarë të vendit të vet që kërkonin liri.
Zoti Rama, tani ka lënë politikën dhe tani është kthyer në origjinë, është kthyer në publicistis.
Dje ankohej dhe sulmonte pse unë përshëndesja rënien e Tripolit, kur nuk kishte rënë, thotë ai.
Por, unë besova të vërtetën dhe e vërteta është që sot Koloneli prej të paktën tre ditësh gjendet në pusetë. Dhe mua kjo më vjen mirë, se kjo ndodhi në Tiranë më 20 shkurt.
Shqetësimi i dytë i zotit Rama ishte pse unë e kasha quajtur fitore. Unë këtë e quaj fitore të madhe, sepse mori fund një rregjim në një nga vendet më të pasura, që u shtyp për 42 vjet.
Për ne shqiptarët, askush nuk e ndjen më shumë këtë fitore, pasi diktatori Enver Hoxha, është në distancë diktatori më i egër dhe më gjakësor pas Luftës së Dytë Botërore. Ndaj dhe është shpallur Hitleri i dytë.
Kështu që çdo shqiptar e shpall fitoren e Tripolit si një fitore të madhe.
Lidhur me pjesën tjetër të ediotorialit nuk kam ndonjë koment. Unë do ti këshilloja rivalit apo publicistit Rama, që të lexojë veprën e Arshi Pipës, ku ka dy vargje në fund për Enver Hoxhën.