Presidenti: Shqipëria, vendi laik i të drejtave të njeriut
Presidenti i Republikës është ndalur gjatë dje në Himarë, duke bashkëbiseduar me qytetarë të Himarës, por edhe pushues. Një pushim të vogël ai e ka ndërmarrë në një nga kafenetë e Himarës, mes pushuesve të shumtë. Është folur për Himarën, klimën e saj dhe preferencat e pushuesve. Por teksa po largohej, Presidenti i Republikës është ndalur rrugës nga një djalë, i cili i prezantohet si Mariano Goro, i lindur në Himarë dhe ka pasaportë amerikane. Ai i thotë Presidentit se “dikush duhet ta mbrojë atë kur flet greqisht aty...” Ai ka lindur në një familje të hershme himariote, ka përfunduar disa vite shkollë në Himarë dhe tani ndihet më në qendër të vëmendjes duke u vetëlançuar si pjesë e një lobi greko-amerikan. Nga ana e tij, presidenti i Republikës, Bamir Topi, iu përgjigj “...ne jemi një shtet laik, ku zbatohen dhe mbrohen të drejtat e njeriut” . Më pas, ai vijoi përshëndetjet me banorët e tjerë, që i kërkuan të kthehet sërish në Himarë.