E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Të nisin hetimet nga institucionet e drejtësisë

TIRANË: Kabllogramet e publikuara nga Wikileaks janë komentuar dje edhe nga tre ish-ministrat e jashtëm: Besnik Mustafaj, Paskal Milo dhe Arta Dade. “Kjo është pjesë e publikimeve, të raportimeve të gjera të ambasadës amerikane në botë. Nuk shoh ndonjë përjashtim. Mënyra e publikimit dhe burimi i tyre është i paligjshëm, por mendoj se të gjithë, dhe në veçanti klasa politike, duhet t’i lexojnë me vëmendje. Duhet të nisin hetimet nga institucionet e drejtësisë”, - tha dje Mustafaj. Ndërsa Milo u shpreh se, për fat të keq, ka një notë negative për cilësinë e politikës shqiptare. “Por më keq akoma, kemi vlerësime, se nuk dua t’i quaj akuza, për një numër personalitetesh të politikës shqiptare. Më keq se kaq, nuk ka ku të shkojë. Janë vlerësime shumë serioze, nuk janë komente shtypi. Janë gjykime që vijnë nga partneri më i madh strategjik i yni”, - shtoi ai. Ndërsa ish-ministria tjetër e jashtme, Arta Dade, shprehet se në këto kabllograme, nuk ka gjëra të ekzagjeruara. “Ata kanë shprehur realitetin shqiptar nga këndvështrimi i tyre. Është një detyrë funksionale e diplomacisë dhe shqiptarët po i mësojnë edhe nga një këndvështrim tjetër”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›