E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rritja e sigurisë në aeroporte, pasaportë për Shqipërinë

TIRANË - "Aeroporti dhe siguria e tij janë pasaporta e vendit", u shpreh të hënën kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e organizuar në përfundim të projektit për modernizimin e hapësirës ajrore shqiptare.

"Shqipëria vitet e fundit njohu zhvillime të mëdha, por në rast se ne do t'i ndajmë në fushën e besimit zhvillimet më të mëdha ndodhën këtu, në Rinas. Numri i pasagjerëve është rritur me 132%, në një hark kohor të shkurtër. Nuk ka asgjë më të sigurtë për rritjen e besimit ndaj Shqipërisë, sesa ky tregues", u shpreh Berisha.

Aeroporti dhe siguria e tij, vijoi ai, janë pasaporta e vendit, por rritja e numrit të pasagjerëve është dëshmi e një dinamizmi të fuqishëm të ekonomisë dhe fuqisë së vendit.

Kryeministri tha se data e sotme është shumë e rëndësishme pasi "shënon inagurimin e një sistemi bashkëkohor ultramodern të kontrollit të hapësirës ajrore, i realizuar nga kompania Lockheed Martin, lider botëror në fushën e kontrollit ajror, e cila ka instaluar në këtë aeroport teknologjinë më të lartë dhe më të sigurtë".

"Ky investim në total prej 76 milion dollarësh shënon një transformim tërësor të sistemit të kontrollit dhe të sigurisë së hapësirës sonë ajrore", u shpreh Berisha.

Duke i vlerësuar çështjet e sigurisë si të parat në të gjitha fushat, kryeministri i veçoi ato në fushën e aviacionit dhe transportit ajror si më delikatet dhe më të rëndësishmet.

"Inagurimi i sotëm, që vjen pas dy inagurimeve të dy fazave të aeroportit të Rinasit e bën Shqipërinë një nga vendet me infrastrukturën më moderne në rajon dhe më gjerë. Instalimet e kompanisë Lockheed Martin krijojnë një infrastrukturë të shkëlqyer të kontrollit të hapësirës ajrore shqiptare", nënvizoi kreu i qeverisë.

Në këtë ceremoni të organizuar në mjediset e aeroportit "Nënë Tereza" në Rinas ishin të pranishëm dhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Olldashi: Shqipëria, pjesë integrale e hapësirës ajrore europiane

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›